Rreth 400 persona protestuan në fillim të këtij muaji në Linz kundër planit të Google për ndërtimin e një qendre të të dhënave në Kronstorf, një qytet i afërt. Protestuesit u mblodhën para selisë së qeverisë së Austrisë së Epërme për të kundërshtuar kompleksin, i cili pritet të shtrihet në rreth 50 hektarë në një vendbanim me afro 3.500 banorë, raporton Euronews.
Planet e Google dhe mbështetja e autoriteteve
Punimet për qendrën e parë të të dhënave të Google në Austri nisën në prill, ndërsa faza e parë pritet të vihet në funksion në vitin 2027.
Kompania amerikane thotë se qendra do t’i përgjigjet kërkesës në rritje për shërbime cloud dhe inteligjencë artificiale.
Google paralajmëron hapjen e rreth njëqind vendeve të drejtpërdrejta të punës dhe disa mijëra vendeve të tërthorta, si dhe kontribut në iniciativat lokale për qëndrueshmëri dhe forcimin e infrastrukturës digjitale të Austrisë.
Në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit, guvernatori i Austrisë së Epërme, Thomas Stelzer, deklaroi se qendra do të dërgojë “një sinjal të fuqishëm për Austrinë e Epërme si një lokacion biznesi dhe inovacioni”.
Shqetësime për konsumin e ujit dhe mungesën e transparencës
Banorët, megjithatë, janë të shqetësuar për mungesën e transparencës rreth projektit.
Ata kërkojnë përgjigje për sistemet e ftohjes, konsumin e ujit dhe ndikimin që projekti mund të ketë në lumin Enns.
“Besoj se duhet ta rishqyrtojmë këtë rritje dhe zgjerim të pafund”, tha Christina Gruber, një nga organizatoret e protestës, artiste e pavarur dhe ekologe e ujërave.
Në protestë kishte ardhur nga Vjena edhe avokatja 53-vjeçare Andrea Kollmann. Sipas saj, projekti ka avancuar “shumë shpejt”, ndërsa “gjithçka është jashtëzakonisht jotransparente dhe askush nuk di asgjë”.
Konsumi i energjisë dhe ujit
Google pretendon se qendrat e tij të të dhënave janë ndër më efikaset në botë për sa i përket energjisë.
Kritikët, nga ana tjetër, theksojnë se edhe objektet shumë efikase mund të konsumojnë sasi jashtëzakonisht të mëdha të energjisë elektrike dhe ujit.
Qendrat e të dhënave përbëhen nga mijëra serverë me çipa kompjuterikë që funksionojnë pa ndërprerje. Ata konsumojnë sasi të mëdha energjie dhe prodhojnë nxehtësi, e cila duhet të largohet përmes sistemeve të ftohjes, që shpesh përdorin ujë.
Sipas raportimeve të mediave, vetëm faza e parë e qendrës në Kronstorf mund të konsumojë deri në 1,31 teravat-orë energji elektrike në vit, afërsisht sa konsumi vjetor i rreth 375 mijë familjeve.
Protesta të ngjashme në të gjithë Evropën
Evropa tashmë ka qindra qendra të të dhënave, megjithëse për nga kapaciteti mbetet ndjeshëm pas Shteteve të Bashkuara.
Në garën për zgjerimin e infrastrukturës së inteligjencës artificiale dhe shërbimeve cloud, numri gjithnjë e më i madh i qendrave të planifikuara të të dhënave po shkakton protesta për shkak të ndikimit të tyre në mjedis.
Në fillim të shtatorit, Skocia ndaloi për arsye mjedisore miratimin e qendrave të reja të mëdha të të dhënave për inteligjencën artificiale.
Në rajonin spanjoll të Aragonit, banorët kanë nisur procedura ligjore kundër ndërtimit masiv të qendrave të të dhënave të Amazon, ndërsa Amsterdami ka vendosur moratorium për qendrat e reja për shkak të mungesës së hapësirës dhe problemeve me furnizimin me energji elektrike.
Danimarka i ka vendosur qendrat e të dhënave në fund të listës së prioriteteve për lidhjen me rrjetin elektrik dhe ka paralajmëruar për ngarkesën që ato mund t’i shkaktojnë sistemit të saj energjetik.
Protestat kanë nxjerrë në pah “tensionin mes zgjerimit të shpejtë të inteligjencës artificiale dhe objektivave klimatike”, vlerëson Francesca Musiani, eksperte e internetit në Qendrën Kombëtare Franceze për Kërkime Shkencore.
Sipas saj, këto zhvillime ngrenë gjithashtu pyetje më të gjera lidhur me qeverisjen digjitale në Evropë.
“Për mua, kjo është pjesë e asaj që sovraniteti duhet të nënkuptojë në praktikë: aftësinë e niveleve të ndryshme të shoqërisë për të marrë pjesë në formësimin e infrastrukturës nga e cila varen”, përfundoi Musiani.

