Sulmuesi që sot qëlloi me armë gjahu dhe plagosi të paktën 11 persona para një shkolle të mesme në Turqi është arrestuar.
Përveç tij, janë arrestuar edhe prindërit dhe gjyshi i tij, konfirmoi ministri turk i Drejtësisë, Akın Gürlek.
Incidenti ndodhi në Shkollën e Mesme Profesionale dhe Teknike “İnci Üzmez”, në provincën Manisa në perëndim të Turqisë, të martën rreth orës 08:00 sipas kohës lokale.
Mediat lokale raportuan se dy prej të plagosurve janë dërguar në spital në gjendje kritike.
Një video nga kamerat e sigurisë, e publikuar në internet, tregon një person në një rrugë pranë shkollës duke mbajtur armë zjarri, ndërsa pamje të tjera duket se e tregojnë atë duke u larguar me vrap, ende me armën në dorë.
Motivi i sulmit nuk ishte menjëherë i qartë.
Mediat turke raportuan se sulmuesi i armatosur është një nxënës 15-vjeçar, megjithëse kjo ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Në një deklaratë, Ministria e Arsimit e Turqisë tha se incidenti “ka pikëlluar thellësisht kombin tonë, veçanërisht komunitetin tonë arsimor”.
Ministria njoftoi gjithashtu se tre inspektorë të nivelit qendror janë dërguar në Manisa për të hetuar ngjarjen.

