Ministria e Punëve të Brendshme e Malit të Zi ka nisur një iniciativë për analizimin dhe rishikimin e kufizimeve aktuale të shpejtësisë në rrugët në të gjithë vendin.
Kjo iniciativë ka hasur në reagime pozitive nga publiku dhe ekspertët, të cilët konsiderojnë se disa kufizime janë të vjetruara dhe se rritja e tyre mund të zvogëlojë kolonat pa cenuar sigurinë.
Ekspertët e trafikut dhe makinerisë, Igor Radojević dhe Goran Čarapić, theksojnë se kjo është një mundësi e mirë për një reformë gjithëpërfshirëse të infrastrukturës rrugore. Sipas tyre, në segmentet ku shpejtësia aktualisht është e kufizuar në 40 ose 50 km/h, një rritje prej 10 deri në 20 km/h nuk do ta rrezikonte sigurinë e shoferëve, ndërsa do të zvogëlonte ndjeshëm bllokimet në trafik dhe nervozizmin gjatë vozitjes.
Ekspertët nënvizojnë se asnjë shenjë trafiku nuk duhet të vendoset “me hamendje”, por mbi bazën e analizave të hollësishme të gjeometrisë së rrugës, dukshmërisë, kthesave, pjerrësisë, vendkalimeve për këmbësorë dhe trafikut të biçikletave.
Po ashtu, duhet të kontrollohet gjendja e barrierave mbrojtëse, bankinave dhe rreziku nga shembjet e dheut ose gurëve.
Si një nga shembujt përmendet rruga drejt Danilovgradit, e cila ishte konceptuar si rrugë e shpejtë, por në praktikë është shndërruar në një segment të ngadalshëm për shkak të hyrje-daljeve të shpeshta dhe vendkalimeve për këmbësorë në nivelin e rrugës.
Eksperti Igor Radojević propozon ndërtimin e rrugëve të ashtuquajtura kolektore, rrethrrotullimeve, urave për këmbësorë dhe nënkalimeve, në mënyrë që qarkullimi të përshpejtohet dhe të bëhet më i sigurt.
Rishikim propozohet gjithashtu edhe në aksin Podgoricë–Cetinje, veçanërisht në segmentet me tri korsi që kanë dukshmëri të mirë dhe kthesa të përshtatshme, si dhe në bulevardet e Podgoricës me disa korsi trafiku.
Qytetarët e anketuar në Mal të Zi nuk e fshehin pakënaqësinë me gjendjen aktuale dhe mbështesin idenë për korrigjimin e kufijve të shpejtësisë në disa segmente.
Disa prej tyre theksojnë se mbështesin kontrollet e rrepta dhe gjobat, por njëkohësisht konsiderojnë të palogjikshme kufizimet prej 40 ose 60 km/h në segmente krejtësisht të drejta dhe me dukshmëri të mirë.
“Të gjithë e dimë se automjetet sot janë më moderne dhe më të shpejta, por me këto kufizime duket sikur kemi mbetur në kohën kur ngisnim ‘Fiça’ dhe ‘Zastava’”, komentoi një shofer për RTCG.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme e Malit të Zi bëjnë të ditur se propozojnë formimin e grupeve të përbashkëta profesionale të punës, ku do të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve relevante, ekspertë të trafikut dhe profesorë nga Universiteti i Malit të Zi.
Qëllimi i këtyre grupeve të punës do të jetë që, mbi bazën e treguesve të matshëm dhe analizave të detajuara, të përcaktojnë se në cilat segmente ka arsye të justifikuara për ruajtjen, rritjen apo eventualisht uljen e kufizimeve aktuale të shpejtësisë.











