Ramzan Kadirov vazhdon të udhëheqë Çeçeninë: Në zgjedhje fitoi 99,85 për qind të votave

Aleati i afërt i presidentit rus Vladimir Putin, Ramzan Kadirov, është rizgjedhur për një mandat të pestë në krye të Çeçenisë, republikës në jug të Rusisë, me pothuajse 100 për qind të votave, njoftoi të hënën Komisioni Zgjedhor rus.

Rusia të dielën përfundoi zgjedhjet për parlamentin kombëtar, si dhe për parlamentet rajonale dhe guvernatorët, të cilat përbënin një test për sistemin politik të kontrolluar rreptësisht të vendit, pas katër vjet e gjysmë lufte në Ukrainë.

Partitë dhe kandidatët e mbështetur nga Kremlini shënuan fitore në të gjithë vendin, tregojnë rezultatet, pasi shumicës së kandidatëve që kundërshtojnë luftën iu pamundësua kandidimi.

Kadirov ka nga Putini kompetenca të gjera për ta qeverisur Çeçeninë pothuajse si territor personal, në këmbim të garantimit të stabilitetit në këtë rajon, ku gjatë viteve 1990 zhvillohej një kryengritje kundër Rusisë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Rusisë njoftoi se Kadirov në Çeçeni fitoi 99,85 për qind të votave, pak më shumë se 99,73 për qind sa kishte marrë në vitin 2021. Vëzhguesit ndërkombëtarë më herët kanë kritikuar ashpër mënyrën se si zhvillohen zgjedhjet në këtë republikë të vogël malore.

Kadirov, i cili i hedh poshtë këto kritika si përpjekje të mbështetura nga Perëndimi për të minuar pushtetin e tij, thekson rregullisht besnikërinë e tij personale ndaj Putinit dhe mbron një qëndrim të ashpër ndaj Ukrainës, ku, sipas tij, forcat e tij çeçene luftojnë që nga viti 2022.

Ai erdhi në pushtet pasi babai i tij, Ahmad Kadirov, u vra në një sulm me bombë në vitin 2004, të kryer nga rebelët, të cilët e konsideronin atë tradhtar.

 

Kategoritë
BotaLajme