Tenistja më e mirë gjermane po kalon nëpër ferr: Merr kërcënime nga bastvënësit dhe përndiqet nëpër hotele

Eva Lys, tenistja 24-vjeçare dhe aktualisht lojtarja gjermane më e renditur, po përjeton momentet më të mira të karrierës së saj profesionale, por në të njëjtën kohë po kalon një ferr në jetën private për shkak të popullaritetit të papritur.

Me paraqitjet e saj të shkëlqyera, ajo është futur mes 40 tenisteve më të mira në botë, por ngritja e saj ka sjellë edhe një anë jashtëzakonisht të errët të famës.

24-vjeçarja gjermane përballet çdo ditë me abuzime brutale në internet, kërcënime me vdekje dhe përndjekje në jetën reale, ndërsa përgjegjësit kryesorë janë shpesh bastvënës të frustrur.

Lys vendosi të thyejë heshtjen, pavarësisht këshillave të ekspertëve të marrëdhënieve me publikun që t’i injoronte sulmet. Ajo zbuloi se fyerjet arrijnë deri në ekstreme, përfshirë kërcënime për përdhunim dhe vdekje, jo vetëm ndaj saj, por edhe ndaj nënës së saj.

“Pas çdo humbjeje marr mijëra mesazhe urrejtjeje drejtpërdrejt në Instagram. Shumë prej tyre më dërgojnë shumën që kanë humbur në baste dhe kërkojnë t’ua kthej paratë. Kjo është krejtësisht e sëmurë”, deklaroi tenistja gjermane, duke shtuar se për urrejtjen me të cilën përballet mund të shkruante libra të tërë.

Fatkeqësisht, problemi është zhvendosur nga rrjetet sociale edhe në botën reale, duke u shndërruar në një kërcënim serioz për sigurinë e saj.

Adhurues obsesivë kanë filluar ta ndjekin nëpër turne, ndërsa së fundmi ajo përjetoi një situatë të frikshme me persona që kishin arritur të zbulonin adresat e vendeve ku stërvitej, hotelet ku qëndronte dhe madje edhe numrat e dhomave të saj.

Për shkak të shkeljes së çdo kufiri të privatësisë, Lys tani po bashkëpunon ngushtë me Shoqatën e Tenisit të Femrave (WTA) për të mbrojtur veten dhe familjen e saj.

Rasti i saj, për fat të keq, nuk është i izoluar, pasi siguria e tenisteve është shndërruar në një problem serioz në tenisin e femrave.

Yje si Emma Raducanu, Iga Swiatek dhe Julija Putinceva gjithashtu së fundmi kanë pasur përvoja të afërta me përndjekës dhe abuzime verbale nga tribunat.

Ekspertët paralajmërojnë se natyra individuale e sportit, ekspozimi i vazhdueshëm mediatik dhe hyrja e hershme e vajzave të reja në sportin profesionist krijojnë një mjedis që mund të tërheqë individë të rrezikshëm.

Për t’i dhënë fund këtij fenomeni, WTA ka prezantuar shërbimin inovativ Threat Matrix, i cili përdor inteligjencën artificiale për të zbuluar përmbajtje fyese dhe për të vlerësuar nivelin e kërcënimit.

Seriozitetin e situatës e tregon më së miri fakti se vetëm nga janari deri në tetor të vitit 2025, sistemi zbuloi rreth 12 mijë publikime që shkelnin rregullat, ndërsa 15 rastet më ekstreme iu raportuan drejtpërdrejt policisë.

Përveç luftës për sigurinë e saj, Eva Lys po sfidon edhe paragjykimet e rrënjosura në sportin profesionist.

Ajo kritikon hapur stigmën sipas së cilës tenistet duhet të paraqiten vetëm si “punëtore që sakrifikojnë gjithçka”.

“Sikur të mos na lejohet të argëtohemi, të dukemi bukur jashtë fushës dhe të vishemi mirë. Mendoj se këto janë marrëzi”, tha Lys.

Pas hyrjes në Top 100, ajo kishte ndjerë një presion të madh, por kuptoi në kohë se duhej të ndryshonte qasjen për të filluar sërish ta shijonte lojën.

Një pjesë të rikuperimit të saj mendor e ka gjetur në ndërtimin e një marke të fortë personale në rrjetet sociale, ku ndiqet nga më shumë se 400 mijë persona.

Sponsorë si Porsche kanë vlerësuar karizmën e saj, ndërsa ajo në Instagram dhe TikTok ndan çdo ditë anën pozitive të jetës së një sportisteje profesioniste.

“Dua të tregoj një anë tjetër, pozitive të tenisit dhe nuk dua që ata që më urrejnë të ma marrin këtë”, përfundoi Lys.

Për qetësinë e saj, ajo ka vendosur një rregull të artë: nuk i kontrollon kurrë rrjetet sociale menjëherë pas ndeshjeve.

Kategoritë
Sport