Erdogan: Fjalët e Biden për Putin janë shprehje që nuk i kanë hije një presidenti

Ky vlerësim i Presidentit Erdogan erdhi gjatë një daljeje publike pas namazit të xhumasë në Stamboll.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi të premten se shprehjet e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i cili e cilësoi si “vrasës” homologun rus, Vladimir Putin, nuk i kanë hije një kryetari shteti.

Ky vlerësim i Presidentit Erdogan erdhi gjatë një daljeje publike pas namazit të xhumasë në Stamboll, ku ai u ndal edhe mbi sulmin me raketa të organizatës separatiste terroriste YPG/PKK ndaj provincës juglindore Kilis të Turqisë.

“Sulmi ndaj Kilisit është pa asnjë dyshim i papranueshëm. Dhe ne iu përgjigjëm, po i përgjigjemi dhe do t’i përgjigjemi absolutisht shumëfish”, theksoi ai.

Rikujtojmë se 2 raketa të lëshuara të enjten vonë nga Tell-Rifaati, qytet nën pushtimin e organizatës separatiste terroriste YPG/PKK në provincën veriperëndimore Halep të Sirisë, goditën një zonë të pabanuar të Kilisit, fatmirësisht, pa shkaktuar asnjë dëm human apo material.

Kreu i shtetit turk gjithashtu dha informacione mbi fjalimin që ai do të mbajë më 24 mars në Kongresin 7. të Madh të Zakonshëm të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti).

“Ne i kemi bërë me vendosmëri përgatitjet tona për organizimin e Kongresit. Aktualisht po përgatisim në mënyrën më ideale të mundshme gjithçka, nga sloganet tona e deri tek fjalimi im i ditës së mërkurë. Realisht, fjalimi që unë do të mbaj të mërkurën, do të jetë gati një manifest i vitit 2023”, tha Presidenti Erdogan mes të tjerash.

Kategoritë
BotaLajme