Erdoğan: Turqia mund të blejë 50 milionë vaksina të tjera nga Kina

“Një dërgesë e dytë mund të mbërrijë nga Kina. Nëse biem dakord për atë çështje, ne mund të blejmë 50 milionë të tjera nga Kina”, tha presidenti Erdoğan para gazetarëve në Stamboll pas namazit të xhumasë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka bërë të ditur se vendi i tij mund të marrë një dërgesë të dytë nga Kina prej 50 milionë vaksinash kundër koronavirusit të ri (COVID-19), nëse vendet arrijnë një marrëveshje, raporton Anadolu Agency (AA).

“Një dërgesë e dytë mund të mbërrijë nga Kina. Nëse biem dakord për atë çështje, ne mund të blejmë 50 milionë të tjera nga Kina”, tha presidenti Erdoğan para gazetarëve në Stamboll pas namazit të xhumasë.

Për kufizimet dhe masat e marra kundër koronavirusit, Erdoğan tha se shfaqja valë-valë e llojeve të koronavirusi e “bën të vështirë marrjen e vendimeve”.

Ai po ashtu tha se vendi do të vazhdojë me lehtësimin e kufizimeve të koronavirusit, por shtoi se përparësia mbetet “mirëqenia e qytetarëve tanë”.

Për blerjet e tjera të vaksinave, Erdoğan tha se marrëveshjet e Turqisë me Kinën dhe Gjermaninë janë në vazhdim, si dhe shtoi se ka bisedime të vazhdueshme me Rusinë drejt një marrëveshjeje.

Më 14 janar, Turqia nisi një fushatë masive të vaksinimit. Deri më tani, sipas shifrave zyrtare, mbi 10,55 milionë doza të vaksinës janë administruar në mbarë Turqinë, prej të cilave rreth 7,83 milionë kanë marrë doza të para dhe rreth 2,72 milionë kanë marrë doza të dyta.

Egjipti dhe Arabia Saudite

Më tej, Erdoğan po ashtu konfirmoi raportet e bashkëpunimit me Egjiptin në fusha të ndryshme pas viteve të lidhjeve të vështira.

“Bashkëpunimi ynë me Egjiptin në fushën e inteligjencës, diplomacisë dhe ekonomisë tashmë po vazhdon. Nuk ka asnjë problem me këtë. Nuk është në nivelin më të lartë, por afër një niveli të lartë”, tha Erdoğan, duke shtuar se ai shpreson të forcojë marrëdhëniet më tej.

Duke theksuar se populli i Egjiptit dhe Turqisë janë të pandashëm, Erdoğan tha se marrëdhëniet mund të forcohen sapo bisedimet e inteligjencës, diplomatike dhe politike të japin rezultate.

Më herët, ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, njoftoi se Turqia dhe Egjipti filluan kontakte të nivelit diplomatik pas disa vitesh ndërprerje të lidhjeve.

Lidhur me trajnimin e përbashkët ushtarak të Arabisë Saudite me Greqinë, presidenti turk tha se Turqia ka shpresuar që Riadi të mos marrë “një vendim të tillë”, duke shtuar se vendi i tij do të diskutojë çështjen me autoritetet saudite.

Kategoritë
BotaLajme