Mesfushori irlandez Jason Knight: Ndeshja kundër Izraelit nuk duhet të zhvillohet

Mesfushori irlandez Jason Knight: Ndeshja kundër Izraelit nuk duhet të zhvillohet

Mesfushori i kombëtares së Republikës së Irlandës, Jason Knight, është bërë lojtari i parë i ekipit që ka kundërshtuar publikisht zhvillimin e ndeshjes së ardhshme kundër Izraelit në Ligën e Kombeve.

Knight shprehu qëndrimin e tij pas humbjes 1:0 të Irlandës ndaj Kosovës, të enjten në Prishtinë.

“Nuk mendoj se ndeshja duhet të zhvillohet, por ajo megjithatë do të luhet”, tha ai.

Mesfushori 25-vjeçar i Bristol Cityt bëri të ditur se lojtarët do të diskutojnë më gjerësisht për këtë çështje përpara ndeshjes së së dielës në Debrecen të Hungarisë.

“Do të zhvillojmë një bisedë më serioze për këtë dhe për atë që nënkupton. Si grup, do t’i bashkërendojmë qëndrimet tona dhe do të shohim se çfarë do të bëjmë më pas”, shtoi Knight.

Kapiteni i Irlandës, Dara O’Shea, kishte thënë më herët se lojtarët do të takoheshin të premten për të diskutuar qëndrimin e tyre dhe mundësinë e një proteste të përbashkët gjatë ndeshjes. Ndër veprimet e mundshme përmenden refuzimi i shtrëngimit të duarve para ndeshjes ose i shkëmbimit të fanellave pas saj, por ekipi ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.

O’Shea theksoi se vendimi për zhvillimin e ndeshjeve është marrë nga Federata e Futbollit e Irlandës (FAI), qeveria irlandeze dhe UEFA, e jo nga lojtarët.

FAI po përballet me presion në rritje për të bojkotuar dy ndeshjet kundër Izraelit për shkak të luftës në Gazë. Më shumë se 160 sportistë irlandezë kanë nënshkruar një letër të hapur, duke i kërkuar kombëtares të mos luajë, ndërsa fushata “Stop The Game” ka organizuar protesta me kërkesën që Izraeli të pezullohet nga futbolli ndërkombëtar.

Përzgjedhësi i Irlandës, Heimir Hallgrímsson, kishte deklaruar se disa lojtarë ndihen “shumë në siklet” për këto ndeshje. Ai e përshkroi paraqitjen e ekipit si të luajturit “kundër gjenocidit”, deklaratë që shkaktoi reagim të ashpër nga Federata e Futbollit e Izraelit.

FAI ka njoftuar se kundërshton pjesëmarrjen e mëtejshme të Izraelit dhe se ka kërkuar nga UEFA pezullimin e tij. Megjithatë, federata vendosi të mos ndërmarrë një bojkot të njëanshëm për shkak të pasojave të mundshme sportive dhe financiare. Asambleja e përgjithshme e FAI-t votoi me 75 vota pro dhe 38 kundër zhvillimit të ndeshjeve, pasi zyrtarët paralajmëruan se tërheqja mund t’i kushtonte futbollit irlandez të paktën 5,5 milionë euro dhe ta ekspozonte federatën ndaj sanksioneve të tjera nga UEFA.

Ndeshja e parë është planifikuar të luhet të dielën në stadiumin Nagyerdei të Debrecenit. Takimi i kthimit, që zyrtarisht llogaritet si ndeshje në shtëpi për Irlandën, është zhvendosur nga Dublini në Baçka Topola të Serbisë dhe pritet të zhvillohet pa shikues më 4 tetor.

FAI nuk do të sigurojë bileta për tifozët irlandezë për asnjërën nga dy ndeshjet. Ndërkohë, transmetuesi publik irlandez RTÉ ka njoftuar se do t’i transmetojë ndeshjet pa programin e zakonshëm në studio, analiza nga ekspertët, reklama apo ekipin e vet të komentimit.

Kategoritë
Sport
Reklamë: ABE Kosova