Haxhiu për projektligjin e proceduar nga PDK: Nuk duhet të bëjmë propozime vetëm sa për t’u dukur që po bëjmë diçka

Haxhiu për projektligjin e proceduar nga PDK: Nuk duhet të bëjmë propozime vetëm sa për t’u dukur që po bëjmë diçka

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, institucionet dhe grupet parlamentare duhet të jenë të kujdesshme në ndërmarrjen e veprimeve, duke theksuar se ekipet mbrojtëse duhet të konsultohen për çdo iniciativë ligjore, raporton Ekonomia Online.

Haxhiu, duke folur për projektligjin e proceduar nga grupi parlamentar i PDK-së, ka thënë se nuk dëshiron ta paragjykojë nismën, por ka kundërshtuar iniciativa që, sipas saj, bëhen vetëm për të krijuar përshtypjen se po ndërmerret ndonjë veprim.

“Tani më lejoni të sqaroj një gjë që konsideroj që është e rëndësishme dhe këtu pa paragjykim për projektligjin që është proceduar nga ana e grupit parlamentar të PDK-së. Mendoj që është shumë e rëndësishme secili veprim i institucioneve dhe grupeve parlamentare pas vendimit të Hagës. Refuzoj të mbështes çfarëdo iniciative që ka për qëllim vetëm me u duk që po bëjmë diçka. Nuk po dua me paragjyku nismën e Partisë Demokratike të Kosovës, por i ftoj të gjitha grupet parlamentare që mos të bëjmë propozime vetëm sa për t’u dukur që megjithatë po bëjmë diçka dhe që nuk kanë ndonjë peshë. Pra, në këtë fazë, pas vendimit të padrejtë të shkallës së parë, mendoj që secili nga ne duhet të jemi të kujdesshëm në kuptim të ndërmarrjes së veprimeve të duhura në kohë, por edhe vendime të drejta”, tha ajo.

Ajo ka kërkuar që, para ndërmarrjes së iniciativave ligjore, të konsultohen ekspertët e fushës dhe ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se, sipas informacioneve që ka, ekipet mbrojtëse nuk janë konsultuar për këtë projektligj.

“Ose, që paraprakisht, të paktën, të konsultohen ekspertët e fushës, e po ashtu ekipet mbrojtëse. Unë nuk mendoj që bëjmë mirë në qoftë se nuk i konsultojmë ekipet mbrojtëse për çfarëdo iniciative ligjore. Sipas informacioneve që ne i kemi, ekipet mbrojtëse nuk janë konsultuar. Dhe mendoj që është gabim”, tha ajo.

Haxhiu ka bërë të ditur se projektligji tashmë është në procedurë parlamentare dhe se, pas pranimit të tij, është proceduar për mendim në Qeverinë e Kosovës.

“Megjithatë, tashmë ligjin e kemi në procedura kuvendore. Pra, në momentin kur unë kam pranuar projektligjin, ne e kemi proceduar për mendim në Qeveri. Ju e dini që sipas ligjit për nismat legjislative, çfarëdo nisme që procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, kërkohet mendim paraprak nga Qeveria. Me ligj, Qeveria ka të drejtë 30 ditë ta shqyrtojë në dispozicion. Në qoftë se nuk i shfrytëzon ato 30 ditë, ligji procedohet në seancë pa mendimin e Qeverisë.

Ne kemi qenë në komunikim, unë personalisht, kam qenë në komunikim me kryeministrin Kurti, u zotova edhe sot në mbledhjen e kryesisë që sërish do ta adresojmë, që ky projektligj të trajtohet nga ana e Qeverisë me prioritet, sidomos kur tani i kemi ditët e numëruara nëse flasim për vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha ajo.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi
Reklamë: ABE Kosova