Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, iu afrua përfaqësuesit iranian në sallën e Asamblesë së Përgjithshme dhe i tregoi një pajisje Starlink.
“Mendova se do të ishte e përshtatshme t’jua jepja këtë Starlink. Mund të jetë i dobishëm për t’i mundësuar popullit iranian të fitojë lirinë pas asaj që i keni bërë. A dëshironi ta merrni me vete në Teheran? Ne e duam popullin iranian dhe lutemi për ndryshimin e regjimit atje. Ajo ditë do të vijë”, tha Danon.
Diplomati iranian nuk iu përgjigj dhe ktheu kokën në anën tjetër.
Veprimi i Danonit erdhi pas fjalimit të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili tregoi në foltoren e OKB-së pajisje pager dhe një Starlink.
“Regjimi iranian i frikësohet më së shumti popullit të vet kur ai ka një pajisje Starlink për komunikim. Do ta lë këtë pajisje që t’ia japin delegacionit iranian. Fuqia e popullit do t’i rrëzojë nga pushteti ata që qeverisin Iranin. Populli iranian do të jetë i lirë, regjimi i lig do të bjerë dhe të gjithë do ta festojmë atë ditë”, tha Netanyahu.

