Marrëdhëniet Serbi–Izrael në nivel të lartë: Fabrika e dronëve pranë Beogradit drejtohet edhe nga avokati i Benjamin Netanyahut

Marrëdhëniet Serbi–Izrael në nivel të lartë: Fabrika e dronëve pranë Beogradit drejtohet edhe nga avokati i Benjamin Netanyahut

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, më 17 shtator përuroi në Beograd fabrikën e parë të dronëve izraelitë, ndërsa në mesin e drejtorëve të kompanisë SDS Technologies është edhe avokati izraelit Zion Amir, i cili përfaqëson kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Sipas gazetës izraelite Haaretz, Vuçiç njoftoi në Instagram se fabrika ka hapur rreth 100 vende pune dhe se do të prodhojë pajisje për Ushtrinë e Serbisë dhe ushtritë e vendeve të tjera. Gazetarët nuk u ftuan në ceremoninë e hapjes, gjë që Vuçiç e arsyetoi me konfidencialitetin e projektit.

Ambasada e Izraelit njoftoi se në këtë ngjarje mori pjesë ambasadorja Avivit Bar-Ilan, e cila vlerësoi bashkëpunimin e industrisë serbe të mbrojtjes me kompaninë Elbit Systems. Në të njëjtën kohë, në regjistrin e bizneseve të Serbisë u shfaq emri SDS Technologies si emërtimi i ri i kompanisë së mëparshme CUPA Enterprises, ndërsa avokati i kryeministrit izraelit, Zion Amir, po atë ditë u emërua zyrtarisht si një nga drejtorët.

Amir ka përfaqësuar Netanyahun dhe qeverinë e tij para Gjykatës Supreme të Izraelit në pesë peticione kundër vendimit të qeverisë për shkarkimin e Ronen Bar nga posti i kreut të Shin Betit, shërbimit izraelit të sigurisë.

Sipas raportimeve të Haaretz, Bar e kishte paralajmëruar Netanyahun për një sulm të mundshëm ndaj Izraelit në një bisedë telefonike përpara sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, pas të cilit nisi lufta shkatërruese e Izraelit në Gaza.

Sipas regjistrit, SDS Technologies ka tre drejtorë: Marija Kardamaki, George Antoine Elghossain dhe Zion Amir. Kompania është në pronësi të kompanisë londineze CUPA Limited, e cila më 21 shtator ndryshoi emrin në Blue Liberty International Ltd, ndërsa pronari i saj shumicë është shtetasi grek Athanasios Ramos.

Një strukturë e tillë pronësie nuk përputhet me deklaratën e mëparshme të Vučićit se pronësia e projektit do të ndahej në mënyrë të barabartë mes Serbisë dhe Izraelit.

Elbit Systems i ka deklaruar Haaretz dhe BIRN-it se bashkëpunon me kompani lokale në disa vende evropiane, por ka mohuar se ka pjesë pronësie apo status partneri në ndonjë fabrikë për prodhimin e dronëve në Serbi.

Megjithatë, Ambasada e Izraelit e ka përmendur Elbitin si partner, ndërsa Vučić ka deklaruar se në Beograd do të montohen dhe më vonë do të prodhohen dronët Lanius-X, FireFox-X dhe Magni-X.

Duke folur për dronin Lanius-X, Vuçiç tha: “Ky dron, në kuptimin e plotë të fjalës, ka sy dhe veshë. E ndjek objektivin dhe e pret atë në pritë. Thjesht, nuk mund të mbrohesh prej tij.”

Kategoritë
BotaLajme
Reklamë: ABE Kosova