Efekti bumerang: Izraeli përballet me mungesë uji pasi shkatërroi sistemin sanitar në Gaza

Efekti bumerang: Izraeli përballet me mungesë uji pasi shkatërroi sistemin sanitar në Gaza

Izraeli po përballet prej javësh me mungesë serioze të ujit, pasi një përhapje masive e algave ka bllokuar impiantet kryesore të shkripëzimit.

Kriza është lidhur me shkatërrimin e një pjese të madhe të infrastrukturës së ujërave të zeza në Gaza nga sulmet izraelite, gjë që ka çuar në derdhjen masive të ujërave të patrajtuara në Detin Mesdhe dhe, si pasojë, në bllokimin e filtrave të impianteve izraelite.

Ujërat e zeza të pasura me azot dhe fosfor, që rrjedhin nga Gaza drejt detit, kanë krijuar kushte ideale për shumimin e shpejtë të mikroalgave. Kjo masë e gjelbër, që raportohet se shtrihet deri në 100 kilometra, së fundmi ka ndikuar në pesë nga gjashtë impiantet kryesore izraelite për prodhimin e ujit të pijshëm, të cilat tani funksionojnë me kapacitet të reduktuar.

Organizata izraelite për mbrojtjen e detit dhe brigjeve, Zalul Environmental Association, deklaroi se “ndotja nuk njeh kufij politikë”.

Ekspertët, përfshirë Jack Gilron nga Universiteti Ben-Gurion, theksojnë se pasojat ekologjike të luftës, pas gati tre vjetësh, tani po prekin drejtpërdrejt edhe Izraelin, duke rrezikuar burimet kryesore të ujit.

Në anën tjetër të kufirit, situata humanitare dhe ekologjike është shumë më dramatike. Sipas Mjekëve pa Kufij, që nga fillimi i konfliktit është shkatërruar 90 për qind e infrastrukturës së ujësjellësit dhe kanalizimit në Gaza, përfshirë puse, tubacione dhe impiante.

Omar Shatat, zyrtar lokal përgjegjës për ujërat, thotë se për shkak të mosfunksionimit të sistemeve, rreth 45 mijë metra kub ujëra të zeza të patrajtuara përfundojnë çdo ditë në det. Sasi të mëdha të ujit të ndotur depërtojnë gjithashtu në burimet nëntokësore dhe përmbytin kampet e të zhvendosurve.

Banorët e Gazës përballen me kushte jashtëzakonisht të vështira jetese. Nas al-Barawi, nënë e pesë fëmijëve, tregoi për luftën e përditshme për sigurimin e ujit të pastër.

“Ujin e bartim me bidonë. Ecim duke mbajtur enë të rënda ose presim me orë të tëra në radhë. Një pjesë e madhe e ujit nuk është e sigurt për përdorim, ndërsa fëmijët vuajnë shpesh nga infeksione të stomakut, diarreja dhe skuqjet e lëkurës. Për shkak të dëmtimit të rrjetit të kanalizimit dhe defekteve të pompave, ujërat e zeza derdhen mes tendave dhe nëpër zonat e banuara”, tha ajo.

Përfaqësuesit e Kryqit të Kuq paralajmërojnë se palestinezët e zhvendosur jetojnë, ushqehen dhe lëvizin mes ujërave të zeza, ndërsa ardhja e dimrit mund ta përkeqësojë edhe më tej situatën.

Përveç ujit të ndotur, mushkonjave dhe erës së rëndë, shkatërrimi i sistemeve sanitare ka sjellë edhe një problem tjetër: një shtim të pazakontë të minjve, që prek si Rripin e Gazës, ashtu edhe vendbanimet izraelite pranë kufirit.

Për shkak të grumbullimit të mbeturinave dhe derdhjes së ujërave të zeza, po rritet edhe frika nga përhapja e sëmundjeve të rënda. Nada Majdalani nga organizata EcoPeace ka paralajmëruar për rritjen e rasteve të hepatitit A në Gaza.

Për shkak të krizës aktuale, autoritetet izraelite u kanë bërë thirrje qytetarëve të kursejnë ujin, ndërsa fermerëve në jug të vendit u është kërkuar të ndërpresin ujitjen. Sipas vlerësimeve të ekonomistëve, kjo mund të ndikojë edhe në rritjen e çmimeve të ushqimeve.

Organizatat mjedisore i kanë bërë thirrje agjencisë izraelite COGAT që të mundësojë rindërtimin e sistemit të kanalizimit në territorin palestinez.

Nga Zalul kanë theksuar se “kur mjedisi detar ndotet, pasojat i vuajnë si njerëzit, ashtu edhe natyra, pavarësisht se në cilën anë të kufirit ndodhen”.

Kategoritë
BotaLajme
Reklamë: ABE Kosova