Gazetarët rusë e pyetën Zelenskyn se kur do të vijë në Moskë, përgjigjja e tij u bë virale: “Me raketë”

Gazetarët rusë e pyetën Zelenskyn se kur do të vijë në Moskë, përgjigjja e tij u bë virale: “Me raketë”

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tërhoqi vëmendje të madhe para selisë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, pas një takimi të shkurtër dhe të tensionuar me gazetarë rusë.

Siç shihet në videon që është bërë virale, teksa Zelensky po kalonte me delegacionin e tij pranë gazetarëve, gazetari rus Valentin Bogdanov e pyeti disa herë se kur do të vinte në Moskë.

Pasi u largua disa hapa, Zelensky mbuloi gojën me dorë dhe u përgjigj: “Me raketë, dreqi e marrtë.”

Gjatë sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Zelensky iu drejtua gjithashtu Rusisë me paralajmërimin se dimri i ardhshëm mund të jetë i vështirë për të, nëse nuk arrihet një marrëveshje për ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës.

Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme, udhëheqësi ukrainas paralajmëroi se lufta e Rusisë mund të përhapet edhe në pjesën tjetër të Evropës, duke bërë thirrje për presion më të madh ekonomik ndaj Moskës.

Ai theksoi veçanërisht rrezikun që lidhet me zhvillimin e teknologjisë, duke paralajmëruar se që vitin e ardhshëm inteligjenca artificiale mund të marrë vendime në fushën e betejës. Sipas tij, kjo e bën edhe më urgjente arritjen e paqes. Zelensky gjithashtu akuzoi Rusinë se në radhët e saj përdor ushtarë nga 47 vende, përfshirë Indinë.

Zelensky foli edhe për dimrin e ardhshëm, duke pranuar se ai pritet të jetë jashtëzakonisht i vështirë për popullin ukrainas.

Për këtë arsye, ai paralajmëroi Moskën se, nëse vazhdojnë sulmet ndaj infrastrukturës ukrainase, Ukraina do të kundërpërgjigjet me sulme ndaj objekteve energjetike dhe të ngrohjes në Rusi, me synimin që dimri të jetë i vështirë edhe për palën ruse.

Kategoritë
BotaLajme
Reklamë: ABE Kosova