Trump kërkon që votat e kandidatëve rivalë t’i kalojnë republikanit Sullivan në Alaskë

Trump kërkon që votat e kandidatëve rivalë t’i kalojnë republikanit Sullivan në Alaskë

“Numri i votave për Dan Sullivanin e rremë si dhe për ‘zhulapin’ tjetër që demokratët e vendosën në fletëvotim, duhet t’i kalojë menjëherë Dan Sullivanit të vërtetë dhe zgjedhjet të përfundojnë”, shkroi Trump

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka kërkuar që fletëvotimet e hedhura për kandidatët e partive të treta në garën për Senatin në Alaskë t’i kalojnë senatorit aktual republikan Dan S. Sullivan, me qëllim sigurimin e fitores së tij, transmeton Anadolu.

“Numri i votave për Dan Sullivanin e rremë si dhe për ‘zhulapin’ tjetër që demokratët e vendosën në fletëvotim, duhet t’i kalojë menjëherë Dan Sullivanit të vërtetë dhe zgjedhjet të përfundojnë. Ai fiton lehtësisht”, shkroi Trump në platformën e tij të rrjeteve sociale Truth Social, duke pretenduar se “nuk ka zgjidhje tjetër të drejtë”.

Projeksionet më të fundit të mediave tregojnë një garë të ngushtë mes dy kandidatëve kryesor, me 75 për qind të votave të numëruara. Kandidatja demokrate Mary Peltola kryeson me 102.962 vota (48,2 për qind), kundrejt 102.325 votave (47,9 për qind) të Dan S. Sullivanit.

Kandidati i pavarur Daniel J. Sullivan Jr. ka marrë 3.600 vota (1,7 për qind), një numër që mund të jetë i mjaftueshëm për të ndryshuar rezultatin e garës nëse këto vota do të ri-alokoheshin.

Republikanët kanë kritikuar më herët përfshirjen në fletëvotim të një kandidati të një partie të tretë me emër të ngjashëm, duke pretenduar se kundërshtarët politikë të Dan S. Sullivanit kanë synuar t’i ngatërrojnë votuesit. Peltola hodhi poshtë pretendimet se fushata e saj kishte pasur ndonjë rol në rekrutimin e këtij kandidati.

Demokratët argumentojnë gjithashtu se kandidatë me emra të ngjashëm janë përfshirë shpesh në fletëvotime, ndaj ndryshimi i rregullave në këtë garë do të përbënte zbatim të standardeve të dyfishta.

Rezultati i garës ende nuk është shpallur përfundimtar, pas zgjedhjeve të mesmandatit të së martës, në të cilat demokratët morën kontrollin e të dy dhomave të Kongresit, Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, pavarësisht rezultatit në Alaskë.

Rregulloret e shtetit lejojnë që fletëvotimet në mungesë nga votuesit jashtë vendit dhe ata që shërbejnë në ushtri të mbërrijnë deri në 15 ditë pas ditës së zgjedhjeve, çka bën që rezultatet përfundimtare të certifikuara të mos priten edhe për disa javë.

Projeksionet aktuale u japin demokratëve shumicën në Senatin me 100 vende, me 54 vende. Kjo përbën shumicë numerike, por shpesh nuk është e mjaftueshme për shkak të rregullave të funksionimit të kësaj dhome.

Sipas rregullave të filibusterit, për shumë votime në Senat kërkohet në praktikë një shumicë e cilësuar prej 60 votash. Për ta arritur këtë, demokratëve do t’u nevojitej mbështetja e disa republikanëve ndërsa një shumicë prej 55 vendesh, nëse Peltola fiton, do t’ua lehtësonte arritjen e këtij synimi.

Kategoritë
BotaLajme