Pasi 11 deputetët e Listës së Përbashkët të paraqesin zyrtarisht rekomandimin e tyre, Eisenkoti pritet të ketë mbështetjen e 67 deputetëve, duke tejkaluar pragun prej 61 vendesh që përbën shumicën në Parlament
Lideri i opozitës izraelite, Gadi Eisenkot pritet të marrë rekomandimet e 67 deputetëve, që përbëjnë shumicën në Knessetin me 120 vende, pasi Lista e Përbashkët Arabe njoftoi se do ta mbështesë atë për formimin e qeverisë së ardhshme, transmeton Anadolu.
Sipas raportit nga Ynet, Lista e Përbashkët njoftoi gjatë ditës njoftoi do ta informojë zyrtarisht presidentin Isaac Herzog për vendimin e saj për të rekomanduar Eisenkotin, liderin e partisë Yashar, gjatë konsultimeve për përcaktimin e deputetit që do të ngarkohet me formimin e qeverisë.
“Kemi vendosur të mbështesim Gadi Eisenkotin. E morëm këtë vendim njëzëri, pas konsultimeve mes partive që përbëjnë Listën e Përbashkët. Nuk ishte një vendim i lehtë”, tha Lista e Përbashkët.
“Pavarësisht vendosmërisë sonë për ta larguar Netanyahun nga pushteti, kampi opozitar i udhëhequr nga Eisenkoti ende nuk ka treguar gatishmërinë e nevojshme për t’u përballur me politikat e Netanyahut, për të luftuar nxitjen e urrejtjes kundër qytetarëve arabë dhe për të kundërshtuar përpjekjet për të minuar legjitimitetin e zgjedhjeve të tyre politike”, tha më tej Lista e Përbashkët.
Pasi 11 deputetët e Listës së Përbashkët të paraqesin zyrtarisht rekomandimin e tyre, Eisenkoti pritet të ketë mbështetjen e 67 deputetëve, duke tejkaluar pragun prej 61 vendesh që përbën shumicën në Knesset.
Zgjedhjet e 27 tetorit i dhanë bllokut të kryeministrit Benjamin Netanyahu 53 vende ndërsa partitë opozitare hebraike siguruan 48 vende dhe partitë e udhëhequra nga arabët fituan 19 vende.
Partia Ra’am, e cila ka tetë vende në Knesset, kishte njoftuar më herët mbështetjen e saj për Eisenkotin. Rekomandimet nuk përbëjnë vetvetiu një koalicion qeverisës, por presidenti Herzog i merr parasysh ato kur vendos se cilin deputet do ta ngarkojë me formimin e qeverisë.
Partitë opozitare kanë rënë gjithashtu dakord të koordinojnë përpjekjet për formimin e një qeverie të re dhe të nisin negociatat për udhëzimet politike dhe marrëveshjet e koalicionit.