Rreth 300 shkolla në Itali evakuohen pas kërcënimeve për bomba

Rreth 300 shkolla në Itali evakuohen pas kërcënimeve për bomba

Autoritetet italiane evakuuan të mërkurën rreth 300 shkolla në mbarë vendin pas kërcënimeve për bomba të dërguara përmes postës elektronike, njoftoi agjencia AP.

Ky është rasti më i fundit në një varg incidentesh që kanë shkaktuar shqetësime në institucionet evropiane gjatë javëve të fundit, pas kërcënimeve të rreme për bomba ndaj kompanive ajrore dhe transmetuesve.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, deklaroi se nuk ka shenja të ndonjë “rreziku konkret” për shkollat në Itali. Sipas saj, kërcënimet duket se kishin për qëllim “shkaktimin e alarmit dhe shqetësimit”.

Meloni bëri të ditur se hetimet po vazhdojnë dhe se kishte thirrur një mbledhje të ministrave për më vonë gjatë ditës. Sipas kopjeve të publikuara nga mediat italiane, përfshirë agjencinë LaPresse, emaili anonim përmbante edhe një kërcënim ndaj saj. Megjithatë, kryeministrja nuk e komentoi këtë në deklaratën e saj.

Ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, zbuloi të shtunën se të dhënat e tij personale kishin rrjedhur në rrjetin e errët të internetit, të njohur si “dark web”. Meloni fajësoi hakerët prorusë për këtë rast.

Ministri i Arsimit, Giuseppe Valditara, tha se 300 shkolla kishin marrë kërcënime përmes emailit, raportoi LaPresse. Ministria nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për konfirmim.

Në shkollën e mesme Mamiani në Romë, nxënësit dolën në rrugë duke menduar se alarmi sinjalizonte fillimin e pushimit. Vetëm pasi dolën jashtë, mësuan se bëhej fjalë për një kërcënim për bombë.

“Po thonë se ishte alarm për bombë, sepse kishte mbërritur një email nga hakerë rusë, të cilët thoshin se do t’i vrisnin të gjithë. Ishte mjaft i dhunshëm”, tha nxënësja 18-vjeçare Anita Bartocci.

Kategoritë
BotaLajme