Dhjetëra mijëra palestinezë kanë mbetur në tenda të përmbytura dhe të dëmtuara pas stuhisë së fundjavës së kaluar, ndërsa 150 mijë tenda të reja presin jashtë Rripit të Gazës miratimin izraelit për të hyrë, paralajmërojnë organizatat humanitare, shkruan The Guardian.
Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, një fëmijë është mbytur në ujërat e përmbytjeve, ndërsa tre fëmijë dhe nëna e tyre kanë humbur jetën pasi një dunë rëre është shembur mbi tendën e tyre.
Kombet e Bashkuara njoftojnë se pas reshjeve, 26 mijë familje kanë kërkuar ndihmë, ndërsa të paktën 3.900 familje kanë mbetur plotësisht pa strehë. Sipas OKB-së, 940 mijë njerëz në Gazë jetojnë në tenda të improvizuara në zona të rrezikuara nga përmbytjet. Rreziku shtohet pasi pompat për largimin e ujërave të shiut nuk funksionojnë për shkak të mungesës së energjisë elektrike.
Frikë nga përhapja e sëmundjeve
Punonjësit humanitarë paralajmërojnë se sëmundjet do të përhapen me shpejtësi nëse familjet nuk sigurojnë urgjentisht strehim të ri dhe mundësi për t’u ngrohur. Organizata britanike Medical Aid for Palestinians parashikon shtim të sëmundjeve të frymëmarrjes për shkak të të ftohtit, lagështisë dhe mbipopullimit. Ajo shpreh frikën se edhe fëmijë të tjerë mund të vdesin nga hipotermia, siç ndodhi dimrin e kaluar.
Palestinezi i zhvendosur Raed Jamal tregoi se të gjitha rrobat e familjes së tij ishin lagur, se fëmijët i kishte të sëmurë dhe se nuk kishte para për t’u blerë rroba të reja. Ai tha se kishte kaluar gjithë natën duke mbledhur në tenxhere ujin e shiut që depërtonte përmes vrimave të tendës.
Organizata ShelterBox njofton se tendat që zakonisht dërgon në situata krizash kanë gati dy vjet që presin jashtë Gazës. Për këtë arsye, ajo po ndërton strehime të improvizuara me mushama dhe paleta druri, por thekson se edhe këto materiale janë të kufizuara. Sipas organizatës, nuk ekziston një procedurë e qartë: veglat e punës herë lejohen të hyjnë e herë jo, pa asnjë shpjegim.
Kufizime në pikat kufitare
Palestinezët në Gazë po përballen me dimrin e dytë që nga armëpushimi i arritur më shumë se një vit më parë. Punonjësit humanitarë thonë se kushtet nuk janë më të mira se vitin e kaluar, për shkak të kufizimeve izraelite ndaj mallrave me “përdorim të dyfishtë” dhe vonesave në pikat kufitare.
Izraeli njoftoi javën e kaluar se kishte lejuar hyrjen e 10 mijë tendave në Gazë. Kjo shifër mbetet shumë nën nevojat, pasi, sipas OKB-së, rreth 94 për qind e banorëve të Gazës kanë nevojë për strehim.
Organizata joqeveritare izraelite Gisha vë në dukje se autoritetet izraelite pretendojnë se në Gazë hyjnë mesatarisht 600 kamionë në ditë. Megjithatë, ato llogarisin 12 paleta mallrash si një kamion, ndonëse një kamion zakonisht transporton rreth 20 paleta. Kjo mund të nënkuptojë rreth 40 për qind më pak mallra.
Këshilli për Mirëkuptim Arabo-Britanik (Caabu) i bëri thirrje qeverisë britanike të ushtrojë trysni ndaj Izraelit. Ai kërkon që Izraeli të lejojë hyrjen e ndihmave dhe t’ua rikthejë lejet dhjetëra organizatave, mes tyre Mjekëve pa Kufij, Oxfam-it dhe Këshillit Norvegjez për Refugjatët.
Nour al-Batsh, nënë e një foshnjeje shtatëmuajshe, pas shembjes së tendës mori me qira një banesë pjesërisht të shkatërruar për 500 dollarë në muaj. Ajo e ndan banesën me të tjerë dhe qiranë e paguan me donacione nga jashtë vendit.
“I ftohti është vdekjeprurës”, tha ajo.
