Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, deklaroi se Serbia nën pushtetin e Aleksandar Vuçiqit ka pasur gjatë dhjetë vjetëve të fundit afërsisht të njëjtën rritje ekonomike si Kroacia, ndonëse nuk ka marrë shuma të konsiderueshme nga fondet evropiane.
Milanoviq i bëri këto deklarata të hënën, në seancën solemne me rastin e 64-vjetorit të themelimit dhe Ditës së Fakultetit të Shkencave Politike në Zagreb.
Ai tha se Kroacia gjatë dhjetë vjetëve të fundit ka pasur një rritje ekonomike prej 2,5 për qind në vit. Sipas tij, kjo rritje është arritur me të gjitha fondet evropiane që vendi ka shfrytëzuar, përfshirë fondet e jashtëzakonshme të ndara pas tërmetit dhe pandemisë. Pa to, do të kishte pasur më pak para.
“Serbia fqinje, e cila u çlirua nga robëria 12-vjeçare, siç thonë disa, gjatë asaj periudhe pati afërsisht të njëjtën rritje nën Vuçiqin. Pa para evropiane në ndonjë masë të konsiderueshme, me pak para kineze dhe shumë më pak ruse”, tha Milanoviq.
Çështja e përfitimeve nga BE-ja
Në të njëjtin fjalim, siç njoftoi Zyra e Presidentit të Kroacisë, Milanoviq tha se pas 13 vjetësh anëtarësimi në Bashkimin Evropian, është legjitime të shtrohet pyetja se çfarë përfiton Kroacia nga ky anëtarësim, nga këndvështrimi i interesit kombëtar.
“Duhet t’ia shtrojmë vetes këto pyetje dhe të japim përgjigje, jo që të shpallim referendum për daljen nga BE-ja, sepse kjo nuk është as realiste dhe as e mençur”, tha ai.
Ai shtoi se BE-ja nuk është dhe nuk mund të jetë shtet dhe se politika e saj e përbashkët e jashtme nuk ekziston.
“Çmimi i kësaj është se politika e jashtme kroate nuk ekziston, dhe jo vetëm ajo kroate”, deklaroi Milanoviq.
