Nëntë anëtarë të familjes Kennedy u janë bashkuar padive kundër harkut të triumfit të Trumpit, të planifikuar në Uashington me lartësi 76 metra. Ata pretendojnë se monumenti do të hidhte hije mbi varret e John F. Kennedy-t, Robert F. Kennedy-t dhe Ted Kennedy-t në varrezat e Arlingtonit.
Fëmijët dhe nipërit e mbesat e Robert F. Kennedy-t dhe Edward Kennedy-t paraqitën të martën kërkesë për t’iu bashkuar dy padive ekzistuese që synojnë ndalimin e ndërtimit, transmeton NBC. Robert F. Kennedy Jr., ministër i Shëndetësisë në administratën Trump, nuk iu bashkua padisë.
Shtëpia e Bardhë planifikon ndërtimin e Harkut të Pavarësisë në nder të 250-vjetorit të SHBA-së. Ai pritet të ngrihet në Memorial Circle, mes Memorialit të Lincolnit dhe Varrezave Kombëtare të Arlingtonit. Komisioni Kombëtar për Planifikimin e Kryeqytetit i miratoi planet përfundimtare më 5 nëntor.
Sipas padisë, harku do të pengonte pamjen drejt Arlingtonit, i cili simbolizon ribashkimin e kombit pas Luftës Civile. Paditësit pretendojnë se hija e tij do të binte edhe mbi varre, përfshirë flakën e përjetshme në varrin e John F. Kennedy-t.
Në emër të familjes kanë folur Rory dhe Maxwell Kennedy. Ata deklaruan se dëshirojnë të mbrojnë hapësirat e shenjta që i përkasin popullit amerikan, transmeton Reuters.
Familjen e përfaqëson organizata Democracy Defenders Fund, bashkëthemelues i së cilës është Norm Eisen. Ai pretendon se vetëm Kongresi ka kompetencën kushtetuese për të miratuar një ndërhyrje të këtyre përmasave.
Gjykatësja federale Tanya Chutkan ndaloi përkohësisht nisjen e punimeve javën e kaluar. Ndalimi mbetet në fuqi deri më 19 nëntor, ndërsa gjykata shqyrton kërkesën për një urdhër paraprak ndalimi.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Davis Ingle, tha se është për të ardhur keq që anëtarët e familjes Kennedy janë përfshirë në padi. Sipas tij, projekti është konceptuar për të nderuar heronjtë e varrosur në Arlington dhe sistemi gjyqësor nuk duhet të keqpërdoret për politizimin e një monumenti që synon bashkimin e kombit.
Demokratët kanë paralajmëruar se do të përpiqen ta bllokojnë ndërtimin kur të marrin kontrollin e Kongresit në janar.
