Hamilton vizitoi kufirin me Gazën, u interesua për mënyrën e grumbullimit të ndihmave humanitare për palestinezët

Hamilton vizitoi kufirin me Gazën, u interesua për mënyrën e grumbullimit të ndihmave humanitare për palestinezët

Shtatë herë kampioni i botës në Formula 1, Lewis Hamilton, vizitoi të martën qytetin egjiptian Al-Arish dhe pikën kufitare Rafah, ku u njoh nga afër me mënyrën e grumbullimit dhe përgatitjes së ndihmave humanitare për banorët e Rripit të Gazës.

Hamilton (41), piloti i Ferrarit, u prit në Aeroportin Ndërkombëtar të Al-Arishit nga guvernatori i Sinait Verior, Khaled Megawer.

Më pas, piloti britanik vizitoi depot e Gjysmëhënës së Kuqe Egjiptiane në Al-Arish, ku bisedoi me punonjësit dhe vullnetarët. Ata i shpjeguan mënyrën se si organizohen dhe dërgohen ushqimet, ilaçet dhe furnizimet e tjera të domosdoshme për banorët e Gazës.

Gjysmëhëna e Kuqe Egjiptiane është një nga organizatat që merret me grumbullimin dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare për Gazën. Al-Arishi është një nga qendrat kryesore logjistike nga ku ndihmat transportohen drejt pikës kufitare Rafah.

Më parë kishte vizituar edhe Jordaninë

Hamilton ka folur edhe më herët publikisht për situatën humanitare në Gaza. Në tetor të këtij viti, para Çmimit të Madh të SHBA-së, ai shprehu shpresën për paqe dhe theksoi rëndësinë e ndihmës për popullsinë e prekur nga konflikti.

Në dhjetor të vitit të kaluar, ai vizitoi Jordaninë në kuadër të një udhëtimi të organizuar nga Kryqi i Kuq Britanik. Atje u takua me përfaqësues të Gjysmëhënës së Kuqe Jordaneze dhe Palestineze, si dhe vizitoi një spital ku trajtohen pacientët e evakuuar nga Gaza.

Hamilton njihet edhe për angazhimin e tij në projekte të tjera humanitare. Në vitin 2021, ai themeloi fondacionin “Mission 44”, për të cilin ndau 20 milionë paund nga pasuria e tij personale. Fondacioni synon të përmirësojë qasjen në arsim dhe punësim për të rinjtë nga komunitetet e margjinalizuara.

Hamilton mbërriti në Egjipt dy ditë pas Çmimit të Madh të Brazilit. Në atë garë, ai regjistroi startin e tij të 400-të në Formula 1, duke u bërë piloti i dytë në historinë e këtij sporti që arrin këtë shifër, pas Fernando Alonsos.

Kategoritë
BotaLajme