Beogradi në homazhe për Xhevat Prekazin, Galatasaray sjell fanellën e klubit në nderim të tij

Beogradi në homazhe për Xhevat Prekazin, Galatasaray sjell fanellën e klubit në nderim të tij

Në stadiumin e Partizanit në Beograd është mbajtur mbledhja komemorative në nderim të Xhevat Prekazit, legjendës së futbollit që ndërroi jetë në moshën 70-vjeçare.

Salla e tribunës qendrore ishte e vogël për t’i pritur të gjithë ata që dëshironin t’ia jepnin lamtumirën e fundit ish-futbollistit të njohur.

Në mesin e të pranishmëve ishin familjarë, ish-bashkëlojtarë, personalitete të futbollit serb, si dhe një delegacion i Galatasarayt, klub ku Prekazi gjithashtu la gjurmë të jashtëzakonshme.

Në emër të Partizanit, drejtori i përgjithshëm Danko Lazovic ia shprehu ngushëllimet për familjen dhe e vlerësoi kontributin e tij të madh për klubin, shkruan mediumi serb “Nova”, përcjell “Gazeta Expres”.

Emocionuese ishte edhe fjala e zëvendëspresidentit të Galatasarayt, Sedat Artukoglu, i cili e kujtoi rëndësinë e Prekazit për gjigantin turk.

“Disa futbollistë vetëm e bartin fanellën e një klubi, ndërsa të tjerët bëhen pjesë e historisë së tij. Prekazi ishte njëri prej tyre. Nuk do t’i harrojmë kurrë golat dhe gëzimet që na dhuroi”, deklaroi ai.

Përfaqësuesit turq e sollën edhe fanellën e Galatasarayt, e cila do të vendoset pranë tij në varrim.

Ish-bashkëlojtari Aca Trifunovic i kujtoi vitet e përbashkëta te Partizani, titullin e vitit 1976 dhe golat spektakolarë të Prekazit.

“Për shtatë vite e ndamë zhveshtoren. Preki kishte një dhunti që nuk mësohet, këmbën e majtë dhe goditjen e fuqishme. Faleminderit për gjithçka që na dhurove”, u shpreh ai.

Mbledhja komemorative përfundoi me një video kushtuar jetës dhe karrierës së tij. /Gazeta Express

Kategoritë
LajmeTë ndryshme