Kurti nga Franca kërkon statusin e kandidatit për BE: Po presim që nga dhjetori i vitit 2022

Kurti nga Franca kërkon statusin e kandidatit për BE: Po presim që nga dhjetori i vitit 2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar mbështetjen e Francës për avancimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, duke theksuar se aplikimi i vendit për anëtarësim është në pritje të hapit të radhës që nga dhjetori i vitit 2022.

Kurti, i cili mbrëmë ishte i ftuar në Asamblenë Kombëtare të Francës, zhvilloi diskutime me përfaqësues të Komisionit për Politikë të Jashtme dhe atij për Çështje Evropiane.

Gjatë fjalës së tij, ai kërkoi që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat dhe të hapen negociatat për anëtarësim në BE.

“Aplikimi ynë për anëtarësim në BE po pret hapin e radhës që nga dhjetori i vitit 2022. Kërkojmë statusin e kandidatit dhe hapjen e negociatave. Besojmë se kjo do t’i kontribuojë më tej paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe do të përforcojë institucionet tona demokratike dhe do të rrisë prosperitetin për popullin tonë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka theksuar se Kosova është e gatshme të pranojë pyetësorin dhe të vazhdojë përpara në procesin e integrimit evropian, ndërsa ka kërkuar ndihmën e Francës për sigurimin e një vendimi nga Këshilli Evropian.

Në këtë takim, kryeministri foli edhe për përparimin demokratik dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës, duke vlerësuar rolin e Francës në të ardhmen evropiane të vendit, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik.

Ai përmendi gjithashtu dialogun politik me presidentin francez, Emmanuel Macron, për të cilin tha se ka hapur mundësi për thellimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve.

Kurti rikujtoi edhe pesë marrëveshjet dhe instrumentet e nënshkruara në korrik, përfshirë dy marrëveshje për bashkëpunim juridik, një për mësimin e gjuhës frënge, kredinë prej 60 milionë eurosh për investime infrastrukturore në kuadër të Lojërave Mesdhetare dhe letrën e synimit për bashkëpunim për “Prishtina 2030”.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi