Kuba në errësirë përgatitet për mbrojtje: Pse po flitet gjithnjë e më shumë për një pushtim amerikan?

Kuba në errësirë përgatitet për mbrojtje: Pse po flitet gjithnjë e më shumë për një pushtim amerikan?

Presidenti i Kubës, Miguel Díaz-Canel, ka deklaruar se vendi i tij po përgatitet për një sulm të mundshëm ushtarak nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump tha se do ta shqyrtonte mundësinë e një operacioni të shkurtër ushtarak. Këto zhvillime vijnë në një kohë kur Uashingtoni ka intensifikuar presionin ndaj Havanës që nga fillimi i vitit.

Sipas revistës gjermane Der Spiegel, Díaz-Canel foli të premten, me rastin e Ditës së Mbrojtjes Kombëtare, në komunën Boyeros, në jug të Havanës, përpara komandantëve ushtarakë dhe përfaqësuesve të Partisë Komuniste.

“Jemi të vendosur të zmbrapsim çdo përpjekje për agresion të huaj ushtarak kundër vendit tonë”, deklaroi Díaz-Canel, sipas agjencisë gjermane të lajmeve dpa.

Ai theksoi se Kuba është një vend paqësor, që nuk përbën kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-së, ndërsa kritikoi deklaratat e përsëritura të politikanëve amerikanë për ndërhyrje ushtarake, pa e përmendur drejtpërdrejt Trumpin.

Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, presidenti kuban i kërkoi gjithashtu Uashingtonit heqjen e bllokadës ndaj vendit të tij.

Trump: Dua ta zgjidh çështjen e Kubës para se të largohem nga detyra

Një ditë më parë, gjatë një interviste me moderatorin e radios Hugh Hewitt, Trump u pyet nëse do të ndërhynte ushtarakisht për ta “çliruar” Kubën.

Sipas Al Jazeera-s, presidenti amerikan deklaroi se dëshiron ta “përfundojë çështjen e Kubës” përpara se të largohet nga detyra në vitin 2029.

Ai shtoi se do ta shqyrtonte seriozisht mundësinë e një operacioni të shkurtër ushtarak, duke e cilësuar Kubën si një “shtet të dështuar”.

Trump deklaroi gjithashtu se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, prindërit e të cilit janë me origjinë kubane, do të dëshironte ta realizonte një operacion të tillë.

Pas Maduros, radha e Kubës?

Presioni amerikan ndaj Havanës u intensifikua pas operacionit ushtarak të SHBA-së në Venezuelë, në janar, gjatë të cilit presidenti Nicolás Maduro u kap dhe u transferua në Shtetet e Bashkuara.

Sipas agjencisë Associated Press (AP), gjatë këtij operacioni humbën jetën 32 ushtarë kubanë.

Pas operacionit, Trump deklaroi se Kuba nuk do të merrte më naftë apo para nga Venezuela, duke i bërë thirrje udhëheqjes kubane të arrinte një marrëveshje “para se të bëhej tepër vonë”.

Që nga ajo kohë, Kuba ka zhvilluar rregullisht stërvitje ushtarake dhe takime për përgatitjen e mbrojtjes kombëtare, raporton dpa.

Bllokada e naftës e zhyt Kubën në errësirë

Në janar, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që parashikonte mundësinë e vendosjes së tarifave doganore ndaj çdo shteti që furnizonte Kubën me naftë.

Meksika dhe Venezuela, të cilat më parë ishin ndër furnizuesit kryesorë të ishullit, që nga ajo kohë nuk kanë dërguar karburant.

Sipas Al Jazeera-s, deri në korrik, SHBA-ja kishte lejuar kalimin e vetëm një cisternë ruse me naftë drejt Kubës.

Vendi ishullor me rreth 10 milionë banorë përjetoi pesë ndërprerje të plota të energjisë elektrike deri në mesin e vitit.

Ministri kuban i Energjisë, Vicente de la O Levy, deklaroi në maj se vendi kishte mbetur plotësisht pa rezerva të naftës dizel dhe mazutit.

Në disa pjesë të kryeqytetit Havana, ndërprerjet e energjisë elektrike zgjatën deri në 20–22 orë në ditë, duke shkaktuar protesta.

Kombet e Bashkuara e cilësuan bllokadën amerikane si të paligjshme.

Nga ana tjetër, Uashingtoni pretendon se masat synojnë ta detyrojnë qeverinë kubane të organizojë zgjedhje demokratike dhe të lirojë të burgosurit politikë.

Administrata amerikane gjithashtu fajëson qeverinë kubane për gjendjen e rënduar të sistemit elektroenergjetik.

Aktakuzë ndaj Raúl Castros dhe anije luftarake amerikane në Karaibe

Në maj, Prokuroria amerikane ngriti aktakuzë ndaj ish-presidentit 94-vjeçar të Kubës, Raúl Castro, për disa vepra penale, përfshirë vrasjen, lidhur me rrëzimin e dy avionëve civilë të emigrantëve kubanë nga Miami në vitin 1996.

Sipas AP-së, kjo ngriti pyetjen nëse SHBA-ja mund të përpiqej ta arrestonte Castron përmes një operacioni ushtarak, ashtu siç kishte vepruar me Maduron.

Presidenti Díaz-Canel e cilësoi aktakuzën si të motivuar politikisht.

Gjatë të njëjtit muaj, grupi luftarak i aeroplanmbajtëses amerikane USS Nimitz hyri në rajonin e Karaibeve, i shoqëruar nga destrojerë dhe kryqëzorë të aftë për të kryer sulme precize ndaj objektivave tokësore.

Sipas Politico-s, në rajon ndodhej gjithashtu anija amerikane USS Kearsarge, me rreth 2.500 marinsa në bord.

Pentagoni deklaroi se po përgatitet për skenarë të ndryshëm, por se nuk ka asnjë urdhër për pushtimin e Kubës.

Ish-zyrtari i Pentagonit, Mark Cancian, vlerësoi se prania e USS Nimitz në rajon synon kryesisht frikësimin dhe ushtrimin e presionit ndaj udhëheqjes kubane.

Nga deklaratat kundër ndërhyrjes te shqyrtimi i opsionit ushtarak

Në janar, Trump kishte deklaruar se një operacion ushtarak nuk ishte i nevojshëm, pasi sipas tij, qeveria kubane do të rrëzohej gjithsesi.

Në shtator, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se administrata amerikane preferonte një ndryshim paqësor përmes negociatave.

Megjithatë, në tetor, Trump tha se anijet luftarake amerikane që po ktheheshin nga lufta me Iranin mund të ndaleshin pranë Kubës.

Në fillim të nëntorit, SHBA-ja vendosi sanksione të reja ndaj Havanës.

Deklaratat e fundit të Trumpit vijnë pas humbjes së republikanëve në zgjedhjet për Kongresin amerikan.

Sipas një sondazhi të realizuar nga Marist, 61 për qind e amerikanëve kundërshtojnë një operacion ushtarak kundër Kubës, ndërsa 70 për qind konsiderojnë se një ndërhyrje e tillë duhet të miratohet nga Kongresi.

Analistët e cituar nga CNBC vlerësojnë se vazhdimi i presionit ekonomik ndaj Kubës është më i mundshëm sesa një ndërhyrje e drejtpërdrejtë ushtarake.

Megjithatë, deklaratat gjithnjë e më të ashpra të Uashingtonit dhe prania e shtuar ushtarake amerikane në Karaibe kanë rikthyer në qendër të vëmendjes mundësinë e një operacioni ushtarak kundër Kubës.

Kategoritë
BotaLajme