Mbi 1.000 lopë enden rrugëve të një qyteti në maqedoninë e veriut, kryetari kërkon shpalljen e gjendjes së krizës

Mbi 1.000 lopë enden rrugëve të një qyteti në maqedoninë e veriut, kryetari kërkon shpalljen e gjendjes së krizës

Mbi 1.000 lopë lëvizin pa kontroll në komunën e Kriva Pallankës, në verilindje të Maqedonisë së Veriut, duke hyrë edhe në qendër të qytetit. Kryetari i komunës, Sashko Mitovski, i kërkon Qeverisë të shpallë urgjentisht gjendje krize për 30 ditë.

Mitovski e arsyetoi kërkesën në një konferencë për media. Ajo mbështetet në përfundimet e Shtabit Komunal të Krizës, i cili vlerësoi se institucionet përgjegjëse nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për ta zgjidhur vetë një problem të këtyre përmasave. Në konferencë morën pjesë edhe shumë qytetarë, përfshirë persona të cilëve bagëtitë tashmë u kanë shkaktuar dëme.

Sipas të dhënave të shtabit të krizës, bagëtitë shkatërrojnë të mbjellat, dëmtojnë pronën private dhe hapësirat publike, si dhe rrezikojnë sigurinë në trafik.

Komuna kërkon burime shtesë profesionale, logjistike, operative dhe financiare, automjete të specializuara dhe hapësirë për strehimin e kafshëve. Gjithashtu, kërkon një plan operativ me aktivitete të përcaktuara për çdo ditë, me detyra dhe përgjegjësi të qarta. Plani duhet të përfshijë kapjen e organizuar, transportin e sigurt dhe strehimin e bagëtive, si dhe masa për të parandaluar përsëritjen e problemit.

Banorë të fshatrave përreth i thanë portalit MKD.mk se prej vitesh po pësojnë dëme. Njëri prej tyre pretendon se vitin e kaluar lopët i shkatërruan mbi 20 tonë lakra, ndërsa dëmin e vlerëson në më shumë se 15.000 euro.

Komuna kishte njoftuar që më 3 nëntor krijimin e një regjistri të unifikuar të dëmeve të raportuara. Ai pritet të shërbejë si bazë për një padi të përbashkët të qytetarëve të dëmtuar për kompensimin e dëmit.

Kategoritë
LajmeRajoni