Holanda shkatërron greqinë, helenët pësojnë shtatë gola në amsterdam

Holanda shkatërron greqinë, helenët pësojnë shtatë gola në amsterdam

Holanda e mposhti Greqinë me rezultat 7:0 në xhiron e pestë të Ligës A të Ligës së Kombeve, ndërsa Tijjani Reijnders realizoi tregolësh.

Holandezët e zgjidhën çështjen e fituesit që në pjesën e parë. Summerville i kaloi në epërsi në minutën e 6-të, ndërsa më pas në skenë doli Reijnders. Ai shënoi në minutën e 12-të pas asistimit të Veermanit dhe në të 18-tën pas pasimit të Malenit. Tregolëshin e kompletoi në minutën e 33-të, pas asistimit të Dumfriesit.

Grekët e tundën rrjetën në minutën e 24-t përmes Ioannidisit, por goli u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it për shkak të lojës me dorë. Në fund të pjesës së parë, Timber, pas një tjetër asistimi të Malenit, e çoi rezultatin në 5:0.

Në fillim të pjesës së dytë, Koopmeiners hyri në lojë në vend të De Jongut, ndërsa Holanda vazhdoi me të njëjtin ritëm. Timber shënoi sërish në minutën e 59-të. Vetëm tri minuta më vonë, Malen, pas dy asistimeve në pjesën e parë, u regjistrua edhe vetë në listën e golashënuesve, duke vulosur rezultatin përfundimtar 7:0.

Dallimi në cilësi pritej edhe në letër, pasi Holanda renditet e nënta në klasifikimin e FIFA-s, ndërsa Greqia e 41-ta.

Me këtë fitore, Holanda arriti në 11 pikë dhe kryeson Grupin 2 të Ligës A para xhiros së fundit. Greqia dhe Gjermania kanë nga tetë pikë, por grekët mbajnë vendin e dytë falë bilancit më të mirë në përballjet direkte. Serbia renditet e fundit, pa asnjë pikë.

Në xhiron e fundit, më 16 nëntor, Holanda luan në udhëtim ndaj Gjermanisë, ndërsa Greqia pret Serbinë. Dy kombëtaret e para të secilit grup të Ligës A kualifikohen në çerekfinale.

Rezultati:

Holanda – Greqia 7:0
Golashënuesit: Summerville 6’, Reijnders 12’, 18’, 33’, Timber 40’, 59’, Malen 62’.

Kategoritë
Sport