Zyra Hungareze për Rikuperimin dhe Mbrojtjen e Pasurisë (NVVH) ka zbuluar rreth 17,7 milionë euro para të gatshme, të groposura në pyje dhe të fshehura në ndërtesa e kasaforta, gjatë një hetimi penal ndaj Miklós Seszták, ish-ministër në qeverinë e Viktor Orbánit.
Kryeministri hungarez, Péter Magyar, publikoi në rrjetin social X pamje dhe fotografi nga operacioni, përfshirë ato ku hetuesit shihen duke nxjerrë para nga toka gjatë natës. Ai publikoi gjithashtu komunikatën e plotë të NVVH-së.
Kontrollet u zhvilluan më 12 dhe 13 nëntor në disa lokacione në Budapest, si dhe në qarqet Pest, Békés dhe Nógrád.
Gjatë operacionit u gjetën gjithsej 5.071.632.000 forinta hungareze, 2.658.350 euro dhe 1.257.100 dollarë amerikanë.
“Hetuesit kanë zbuluar sasi të mëdha parash të gatshme, të groposura në pyje, të fshehura në objekte bujqësore, magazina dhe ndërtesa banimi, si dhe të ruajtura në një kasafortë të vlefshme në një lokacion sekret”, thuhet në komunikatën zyrtare.
Paratë e sekuestruara u depozituan po atë ditë në Thesarin e Shtetit Hungarez.
Sipas kryeministrit Magyar, 12 punonjës të thesarit punuan për tetë orë, duke përdorur pesë makina për numërimin e parave.
Magyar: Orbán është kreu i mafies
Péter Magyar, i cili fitoi zgjedhjet në prill dhe i dha fund qeverisjes 16-vjeçare të Viktor Orbánit, e shfrytëzoi sekuestrimin e parave për të kritikuar ashpër ish-pushtetin.
“Me këtë, mafies Fidesz-KDNP zyrtarisht i ka ardhur fundi”, shkroi Magyar.
Ai shtoi se tashmë është dëshmuar se Viktor Orbán është kreu i mafies, tashmë i rrëzuar nga pushteti, ndërsa partia Fidesz është një organizatë kriminale.
Nga ana tjetër, Fidesz, e cila aktualisht ndodhet në opozitë, deklaroi se shpreson që pamjet e publikuara nga NVVH të mos kenë asnjë lidhje me ish-ministrin Seszták, raportojnë mediat hungareze.
Ish-ministri dyshohet për përfitime të paligjshme prej 30 milionë eurosh
Miklós Seszták ka shërbyer si ministër i Zhvillimit Kombëtar të Hungarisë nga viti 2014 deri në vitin 2018.
Ai ndodhet në paraburgim që nga 30 shtatori, dy ditë pasi Parlamenti hungarez ia hoqi imunitetin.
Sipas Prokurorisë, Seszták dhe Norbert Sivek, ish-drejtor i Agjencisë Kombëtare Hungareze për Menaxhimin e Pasurisë (MNV), dyshohet se kanë përfituar në mënyrë të paligjshme mbi 11 miliardë forinta, ekuivalente me rreth 30 milionë euro.
Gjatë kontrolleve të mëparshme në shtëpinë e Sesztákut, hetuesit kishin gjetur disa kasaforta bosh.
Sipas gjykatës, të dhënat e hetimit tregojnë se në këto kasaforta ai kishte mbajtur rreth nëntë miliardë forinta para të gatshme, të cilat dyshohet se i kishte larguar përpara marrjes në pyetje.
Megjithatë, Seszták i ka mohuar këto pretendime, duke deklaruar se në kasaforta kishte ruajtur vetëm dokumente.
