Rusia, në negociatat me Ukrainën, në thelb kërkon që Kievi të mbetet jashtë çdo marrëveshjeje sigurie, ndërsa objektivat e saj janë territoriale, vlerësoi gjenerali rumun në pension, Virgil Bălăceanu. Ai paralajmëroi për rrezikun që do t’i kanosej Rumanisë nëse bregu i djathtë i Hersonit do të kalonte nën kontrollin e Moskës.
Bălăceanu ishte të premten i ftuar në televizionin rumun Digi24, ku foli për negociatat mes delegacioneve të Ukrainës, SHBA-së dhe Rusisë në Abu Dabi.
“Thelbi është ky: Ukraina duhet të përjashtohet nga kushtet dhe marrëveshjet e sigurisë”, tha ai.
Sipas tij, negociatat në Abu Dabi nuk kanë sjellë shumë risi. Si të vetmen veçoi pjesëmarrjen e evropianëve, ndonëse, siç tha, ata kanë qenë të pranishëm vetëm në fazat paraprake. Ai vlerësoi se vizitat e Jared Kushnerit dhe Steve Witkoffit në Moskë e kishin bindur Putinin ta pranonte këtë pjesëmarrje, e cila mbështetet edhe nga Uashingtoni.
Katër rajone “pa luftë”
Gjenerali pretendon se Rusia dëshiron të marrë në tryezën e negociatave, “pa luftë”, katër rajone ukrainase. I pari është i gjithë rajoni i Luhanskut, ku Ukraina, sipas tij, mban ende 0,38 për qind të territorit. I dyti është rajoni i Donjeckut, përfshirë brezin e qyteteve të fortifikuara që kontrollohen nga Kievi. I treti është Zaporizhja dhe i katërti Hersoni. Sipas të dhënave që ai paraqiti, Ukraina kontrollon pothuajse një të katërtën e rajonit të Zaporizhjas dhe 31 për qind të rajonit të Hersonit.
Ai paralajmëroi se, nëse Rusia merr bregun e djathtë të Hersonit, do të siguronte një pikëmbështetje për një luftë të re.
“Rumania duhet të jetë shumë e kujdesshme”, theksoi ai. Sipas tij, kjo do t’ia lehtësonte Moskës përparimin në drejtimin Mikolajiv–Odesë, drejt grykëderdhjes së Danubit dhe Transnistrisë, rajonit separatist prorus në Moldavi.
Ukraina në BE, por jo në NATO
Sipas Bălăceanut, vizioni rus për arkitekturën e re të sigurisë në Evropë nis me çmilitarizimin e plotë të Ukrainës dhe zvogëlimin e pranisë së NATO-s. Sipas këtij vizioni, Ukraina nuk do të mund të anëtarësohej në NATO, “ndonëse Kushtetuta ende e përmban këtë dispozitë”. Rusia do ta pranonte anëtarësimin e saj në BE vetëm nëse Ukraina mbetet jashtë marrëveshjeve evropiane të mbrojtjes.
Ai foli edhe për tri skenarë që, sipas tij, i kishte paraqitur drejtuesi i departamentit të politikës së jashtme në një ministri të Punëve të Jashtme. Emrin e këtij zyrtari nuk e bëri të ditur. Skenari i parë është një aleancë mbrojtëse ose garanci të ndërsjella sigurie. I dyti është një zotim politik për të mos mbështetur shtetin agresor, ndërsa i treti përfshin marrëveshje dypalëshe mossulmimi me disa vende anëtare të NATO-s.
Praninë e brigadave shumëkombëshe të NATO-s në Poloni dhe Rumani ai e sheh si pasojë të luftës. Si shembull të një vendi që po përgatitet seriozisht për mbrojtje përmendi Finlandën. Sipas tij, ajo mund të mobilizojë afër gjysmë milioni njerëz dhe ka edhe po aq të tjerë në rezervë.
