Kryeministri polak Donald Tusk ka ironizuar sërish ish-kryeministrin hungarez Viktor Orban, këtë herë pas ndalimit të vëllait të tij dhe gjetjes së miliona dollarëve të groposur në pyll, në kuadër të një hetimi ndaj një ish-ministri të qeverisë Orban.
“Para disa ditësh, vëllai i Orbanit u ndalua në një rast kontrabandimi me njerëz, ndërsa dje në pyll u gjetën 20 milionë dollarë që i kishte groposur një nga ministrat e Orbanit. I dashur Viktor, gjithmonë e kam admiruar krijimtarinë tënde, por tani duhet të them se jam i impresionuar si kurrë më parë”, shkroi Tusk në rrjetin X.
Tusk iu referua dy rasteve të javëve të fundit. Áron Orbán, vëllai më i vogël i ish-kryeministrit, u ndalua më 9 nëntor në kuadër të hetimeve për një skemë me viza për shtetas të Vietnamit. Viktor Orban deklaroi atëherë se objektivi i vërtetë ishte ai, ndërsa vëllai i tij ishte vetëm një pion.
Zyra Kombëtare hungareze për Rikuperimin dhe Mbrojtjen e Pasurisë (NVVH), më 12 dhe 13 nëntor, gjatë hetimeve ndaj Miklós Sesztákut, ministër i Zhvillimit Kombëtar në qeverinë Orban nga viti 2014 deri më 2018, sekuestroi mbi pesë miliardë forinta, 2,66 milionë euro dhe 1,26 milionë dollarë para të gatshme.
Paratë ishin groposur në pyje dhe ishin fshehur në objekte bujqësore, depo, një shtëpi dhe një kasafortë. Kryeministri Péter Magyar e vlerësoi shumën e përgjithshme në mbi gjashtë miliardë forinta.
“Ose Budapesti, ose burgu”
Kjo nuk është hera e parë që Tusk ironizon Orbanin në rrjetet sociale. Pas vizitës së Orbanit në Moskë në korrik të vitit 2024, ai pyeti nëse dikush ndihej më i sigurt pas bisedimeve të Orbanit me Vladimir Putinin për “arkitekturën evropiane të sigurisë pas luftës”. Ai shtoi se historia nuk përsëritet, por shpesh rimon.
Në tetor të vitit 2025, nën një fotografi të Orbanit me ish-ministrin polak të Drejtësisë, Zbigniew Ziobro, ndaj të cilit po zhvillohen hetime në Poloni, Tusk komentoi: “Ose Budapesti, ose burgu”.
Një muaj më vonë, kur Orban kërkoi ndërprerjen e ndihmës për Ukrainën, Tusk shkroi se nuk ishte befasi që Ziobro dhe ish-zëvendësi i tij, Marcin Romanowski, kishin gjetur strehim pikërisht në Budapest.
“Rusë, shkoni në shtëpi”
Në shkurt të këtij viti, para zgjedhjeve hungareze, Tusk bëri një lojë fjalësh me mbiemrin e rivalit të Orbanit, Péter Magyar, duke e pyetur Orbanin se si thuhet në gjuhën e tij “pranvera hungareze”.
Pas humbjes së Orbanit më 12 prill, ai publikoi: “Sërish bashkë! Fitore madhështore, miq të dashur!”, ndërsa në hungarisht shtoi “Ruszkik haza!” — “Rusë, shkoni në shtëpi”, slogan i Revolucionit Hungarez të vitit 1956.
Dy javë më vonë, në samitin e BE-së në Nikozia, ku Orban nuk mori pjesë, Tusk u tha gazetarëve se për herë të parë pas shumë vitesh në sallë nuk kishte rusë.
Orban e kishte cilësuar më herët Tuskun si një nga luftënxitësit më të zëshëm në Evropë, ndërsa në një intervistë për të përjavshmen polake Sieci në vitin 2025 kishte deklaruar se Tusk e urren.
