Kryeministri australian Anthony Albanese dhe ministri i Klimës Chris Bowen bënë shaka për organin gjenital mashkullor gjatë samitit klimatik COP31 në Turqi, pa e ditur se po regjistroheshin.
Regjistrimi i bisedës u publikua fillimisht të premten nga televizioni Channel Seven. Albanese dhe Bowen po bisedonin në Antalia, në margjinat e samitit, ndërsa prisnin fillimin e një tryeze të rrumbullakët.
Albanese e këshilloi Bowenin të mos e mbante telefonin pranë zemrës, pasi kjo mund t’i çrregullonte ritmin. Bowen iu përgjigj se për të ishte më e rëndësishme të mos e mbante telefonin në xhepin e pantallonave.
Albanese e ndërpreu duke e pyetur: “Për shkak të k… tënd?”, duke përdorur një shprehje vulgare për organin gjenital mashkullor. Bowen qeshi dhe tha: “Që ndoshta është edhe më i rëndësishëm se zemra.”
Videoja u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale. Një zëdhënës i Albaneses i tha AFP-së vetëm se të dy “po bënin shaka mes takimeve”.
Albanese është përballur disa herë këtë vit me kritika për shaka të ngjashme. Në një podkast, ai tha se do të flinte me këngëtaren Kylie Minogue. Vëmendje tërhoqi edhe një koment me dy kuptime për disa pjepra që i kishte marrë dhuratë nga Japonia.
Albanese mbajti fjalim në samitin e Antalias më 11 nëntor, në sesionin e rezervuar për krerët e shteteve dhe qeverive. Bowen, i cili drejton negociatat në konferencën e këtij viti, është vazhdimisht në shënjestër të kritikave të opozitës australiane për angazhimin e tij në samit. Opozita pretendon se ministri duhet të merret me çmimet e larta të energjisë elektrike në vend.
