Gjykata Administrative në Dresden ka konstatuar në dy vendime se kontrollet e Policisë Federale Gjermane në kufijtë me Poloninë dhe Çekinë kanë shkelur Kodin e Kufijve të Shengenit. Paditë u ngritën nga dy burra që kalojnë rregullisht kufirin, ndërsa pala e paditur ishte Republika Federale e Gjermanisë.
Paditësi i parë është një shtetas polak që jeton në Görlitz dhe e kalon kufirin pothuajse çdo ditë, pasi familja e tij jeton në të dyja anët e këtij qyteti kufitar.
Ai ngriti padi për shkak të një kontrolli të identitetit më 25 shtator 2024, në Urën e Qytetit në Görlitz, duke kundërshtuar gjithashtu faktin se policët i kishin kontrolluar bagazhin e automjetit.
Siç raporton agjencia gjermane e lajmeve dpa, ai është baba i dy vajzave të vogla dhe nuk e kupton përse duhet të kalojë nëpër pika kontrolli ku qëndrojnë policë të armatosur.
Sipas tij, ndonjëherë kalimi bëhet shpejt, ndërsa herë të tjera duhet të presë në radhë nga 20 deri në 30 minuta.
“Rekordi im është dy orë pritje në një kontroll të vetëm”, deklaroi ai.
Paditësi i dytë është një burrë nga Michendorf, në landin Brandenburg, i cili u kontrollua më 18 maj të këtij viti në pikën kufitare Breitenau, në autostradën A17.
Ai po kthehej nga Praga me një autobus që zëvendësonte transportin hekurudhor. Si muzikant, ai udhëton disa herë në vit drejt Çekisë për të vizituar miqtë e tij muzikantë dhe për të marrë pjesë në koncerte, në kuadër të shkëmbimeve kulturore.
Gjykata nuk pranoi argumentet e Ministrisë së Brendshme
Sipas rregullave të reja të Shengenit, kontrollet në kufijtë e brendshëm mund të zgjasin deri në dy vjet, me mundësi zgjatjeje deri në maksimum tre vjet, vetëm në kushte të rrepta.
Për këtë, shteti përkatës duhet t’i paraqesë Komisionit Evropian një analizë të detajuar të kërcënimeve që justifikojnë kontrollet.
Ministria e Brendshme e Gjermanisë argumentoi se kontrollet janë të nevojshme për mbikëqyrjen e migracionit të paligjshëm, ruajtjen e rendit publik dhe garantimin e sigurisë së brendshme.
Përfaqësuesja ligjore e ministrisë deklaroi se efekti parandalues i kontrolleve nuk mund të matet statistikisht, por as të mohohet.
Megjithatë, gjykata nuk i pranoi këto argumente. Arsyetimi i plotë me shkrim i vendimeve ende nuk është përfunduar.
Vendimet nuk janë përfundimtare
Vendimet e Gjykatës Administrative në Dresden nuk kanë marrë ende formë të prerë.
Gjykata urdhëroi që shpenzimet e procedurës të mbulohen nga shteti gjerman dhe lejoi paraqitjen e ankesës në Gjykatën e Lartë Administrative të Saksonisë.
Gjyqtari Hanns-Christian John deklaroi gjatë seancës të së mërkurës se pret që kjo çështje të mos përfundojë në këtë shkallë gjyqësore.
Në procedura të tilla, gjykata përcakton vetëm nëse kontrollet konkrete kufitare kanë qenë të ligjshme. Për këtë arsye, paditësit nuk fitojnë automatikisht të drejtën për kompensim financiar.
Gjithashtu, vendimet nuk nënkuptojnë heqjen e menjëhershme të kontrolleve kufitare.
Gjermania synon t’i zgjasë kontrollet deri në mars 2027
Kontrollet në kufijtë e Gjermanisë me Poloninë dhe Çekinë janë në fuqi që nga tetori i vitit 2023, ndërsa në të gjithë kufijtë tokësorë gjermanë ato zbatohen që nga 16 shtatori 2024.
Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, i ka zgjatur kontrollet çdo gjashtë muaj, duke argumentuar se qëllimi është ulja e numrit të hyrjeve të paligjshme në vend.
Sipas gazetës gjermane Bild, Ministria e Brendshme synon t’i zgjasë sërish kontrollet, këtë herë deri në mars të vitit 2027.
Ministria ka konfirmuar se Komisionit Evropian i është dërguar një kërkesë zyrtare për zgjatjen e tyre.
Kjo vjen pavarësisht faktit se komisioneri evropian për Migracionin, Magnus Brunner, i ka kërkuar disa herë Gjermanisë që t’i heqë kontrollet në kufijtë e saj të brendshëm.
