Gashi për ndërmarrjen publike “Kastrioti”: Do të krijohen vende të reja të punës

I pari i Komunës së Obiliqit është deklaruar pasi qeveria në detyrë e Kosovës miratoi vendimin për themelimin e Ndërmarrjes Publike Lokale “Kastrioti” Sh.A.

Gashi këtë e ka cilësuar të rëndësishëm duke thënë se ky është edhe një hap për hapjen e vendeve të reja të punës.

“Kam kënaqësinë të ju njoftoj se Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e 68-të me radhë të mbajtur në mënyrë elektronike, ka miratuar vendimin për themelimin e Ndërmarrjes Publike Lokale “Kastrioti Sh.A.”, me 100 % të aksioneve nga Komuna e Obiliqit. Me miratimin e këtij vendimi, tashmë qyteti i Obiliqit ka ndërmarrjen e vet publike e cila hap rrugë në hapjen e vendeve të reja të punës që ndikon drejtpërdrejtë në mirëqenien socio-ekonomike për banorët e Obiliqit, mirëmbajtjen e hapësirave gjelbëruese, parqeve e shesheve publike, objekteve kulturore e sportive”, ka shkruar Gashi.

Gashi, ka falënderuar kabinetin qeveritar për miratimin e këtij vendimi, në theks të veçantë ministrin e MEA-së, Muharrem Nitaj.

“Ky lajm, dëshmon qartë përkushtimin dhe angazhimin e madh gjatë gjithë qeverisjes sime për realizimin e projekteve dhe implementimin e vendimeve të rëndësishme për qytetin e Obiliqit, si dhe, bashkëpunimin e mirëfilltë me institucionet e nivelit qendror, ku me këtë rast falënderoj gjithë kabinetin qeveritar për aprovimin e vendimit, në theks të veçantë ministrit të MEA-së, z.Muharrem Nitaj. Ne, si institucion komunal do të vazhdojmë përmbylljen e të gjitha procedurave sipas ligjeve në fuqi dhe do veprojmë konform rregulloreve të përcaktuara. Obiliqi po ndryshon dhe gjithësecili prej nesh kemi privilegjin por edhe përgjegjësin në ndërtimin e tashmes dhe zhvillimeve të ardhshme që po na presin. Bashkë për Obiliqin që e duam! Vetëm me punë! Urime gjithë qytetarëve të Obiliqit”, shkruan Gashi në “Facebook”.

Kategoritë
LajmeVendi