Qeveria e Malit të Zi ka miratuar një dokument për nisjen e procedurave të shfuqizimit të marrëveshjeve që rregullojnë udhëtimin pa viza me Rusinë, Bjellorusinë dhe Turqinë. Për Turqinë parashikohet edhe lidhja e një marrëveshjeje të re për mbajtësit e pasaportave diplomatike, zyrtare dhe speciale.
Sipas arsyetimit të qeverisë, Mali i Zi duhet ta harmonizojë plotësisht politikën e vizave me atë të Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të anëtarësimit.
Më 23 korrik 2026, qeveria miratoi ndryshime në rregulloren për regjimin e vizave. Sipas tyre, nga 1 nëntori 2026, shtetasve të Rusisë, Bjellorusisë dhe Turqisë do t’u nevojitet vizë për të hyrë, për të kaluar transit ose për të qëndruar në Mal të Zi.
“Meqenëse këto çështje rregullohen edhe me marrëveshje ndërkombëtare të lidhura nga Qeveria e Malit të Zi, është e nevojshme të ndërmerren veprime për përfundimin e vlefshmërisë së marrëveshjeve me këto shtete”, thuhet në vendim.
Sa i përket Turqisë, qeveria synon të nisë procedurat për një marrëveshje të re dypalëshe që do të ruante, sa më shumë të jetë e mundur, udhëtimin pa viza për mbajtësit e pasaportave diplomatike, zyrtare dhe speciale, në përputhje me rregullat e BE-së për politikën e vizave.
