Policia e Malit të Zi ka arrestuar Aleksandar Mihailoviç Krugljanskin (31) dhe Aleksandra Krugljanskan (42), shtetas të Rusisë dhe Izraelit, pasi në bagazhet e tyre u gjetën pajisje të shumta elektronike që dyshohet se përdoren për gjurmim dhe mbikëqyrje.
Ata u ndaluan në aeroport teksa po përpiqeshin të hipnin në një fluturim drejt Tel Avivit. Me vete kishin gjithsej 19 valixhe dhe çanta.
Gjatë kontrollit të hollësishëm, policia kufitare gjeti në më shumë se gjysmën e bagazheve pajisje që, sipas autoriteteve, mund të përdoren për mbikëqyrje, spiunazh dhe zbulimin e mjeteve të përgjimit.
Mes sendeve të sekuestruara ishin një gjurmues GPS me mikrofon të integruar, një detektor profesional i sinjaleve radio BugHunter Professional BH-04 për zbulimin e mikrofonave dhe kamerave të fshehta, kamera vëzhgimi dhe pajisje shoqëruese, pjesë kompjuterike, pajisje ruajtjeje të të dhënave dhe kabllo.
Policia sekuestroi gjithashtu ilaçe të padeklaruara, 26.210 euro dhe 1.150 shekelë izraelitë.
Sipas portalit Vijesti.me, të dyshuarit qëndronin në Mal të Zi me vizë turistike dhe kishin hyrë disa herë në vend gjatë periudhës së fundit.
Me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Themelore të Shtetit në Kotor, ndaj tyre është paraqitur kallëzim penal nën dyshimin për kontrabandë dhe pastrim parash.
Drejtoria e Policisë së Malit të Zi njoftoi se po zhvillon hetime intensive në bashkëpunim me Agjencinë e Sigurisë Kombëtare (ANB) dhe partnerë ndërkombëtarë të inteligjencës për të sqaruar motivet dhe rrethanat e veprimtarisë së dy të arrestuarve.

