Ndihmë nga jashtë: Vuçiq sjell në Serbi influencuesen polake të njohur për islamofobi

Ndihmë nga jashtë: Vuçiq sjell në Serbi influencuesen polake të njohur për islamofobi

Në Serbi të dielën mbahen zgjedhjet parlamentare, ndërsa ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Partia Përparimtare Serbe (SNS) kanë sjellë në vend edhe disa influencues nga Evropa dhe bota, të cilët po e mbështesin publikisht atë në rrjetet sociale.

Përveç Valentina Gomez, politikanes amerikane që kishte djegur Kuranin dhe kishte kërkuar dëbimin e myslimanëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, para zgjedhjeve në Serbi ka mbërritur edhe influencuesja polake Weronika Rogowska.

Prej disa ditësh ajo po publikon video nga Beogradi në profilin e saj në rrjetin social X, ku ndiqet nga më shumë se 60 mijë persona.

Ndër publikimet e saj është edhe një fotografi me Gomez, ku ka shkruar se “gratë konservatore mbrojnë të krishterët dhe serbët”, si dhe një video ku shihet duke vallëzuar në një nga tubimet e SNS-së.

Ajo pretendon se ka vizituar edhe një tubim të Listës Studentore, por edhe në atë publikim ka shprehur mbështetjen për Vuçiqin dhe SNS-në. Sipas saj, kundërshtarët e tyre do të sillnin “kaos dhe komunizëm” në Serbi, të cilën ajo e përshkruan si “stabile falë ish-presidentit të këtij vendi”.

KUSH ËSHTË WERONIKA ROGOWSKA?

Rogowska është aktiviste politike dhe influencuese polake, e cila në rrjetet sociale trajton, siç thotë ajo, çështje që lidhen me politikën evropiane, migracionin, identitetin kombëtar dhe ruajtjen e vlerave tradicionale.

Përveç aktivitetit në rrjetet sociale, ajo ka folur edhe në Parlamentin Evropian për migracionin masiv, mbrojtjen e identitetit kulturor dhe lirinë e fjalës.

Ajo ka vizituar edhe Izraelin, ku ka marrë pjesë në një konferencë për luftën kundër antisemitizmit.

ISLAMOFOBIA SI TEMË KRYESORE E MESAZHEVE TË SAJ

Në paraqitjet e saj publike, Rogowska e paraqet Islamin dhe myslimanët si kërcënim për Evropën, mbështet dëbimet dhe të ashtuquajturin “remigrim”, ndërsa Poloninë e paraqet si shembull për faktin se, sipas saj, “nuk ka importuar migrantë”.

Në një publikim në X lidhur me trazirat në Francë, ajo pretendoi se islamistët dhe e majta radikale i kishin vënë zjarrin ndërtesës së mbrojtur të bashkisë në Limoges. Në një tjetër postim, ajo deklaroi se këto grupe nuk kanë respekt për kulturën dhe vendet evropiane dhe se synimi i tyre i vetëm është “islamizimi i Evropës”, duke u bërë thirrje evropianëve të votojnë për të djathtën.

Në një publikim për përndjekjen e të krishterëve në Nigeri, ajo akuzoi aktivistët për të drejtat e njeriut se po heshtin.

Në shtator 2026, nga Varshava, ajo publikoi se po shihte gjithnjë e më shumë gra të mbuluara plotësisht sipas praktikave islame dhe pyeti se çfarë të ardhmeje po zgjedh Evropa dhe si mund të mbrohet “kultura evropiane”.

Ajo i ka fajësuar myslimanët edhe për situatën në Mbretërinë e Bashkuar, të cilën e ka përshkruar si “okupim”. Në këtë vend, Rogowska ka shprehur mbështetje edhe për Tommy Robinson, aktivist të së djathtës ekstreme të njohur për qëndrimet e tij anti-islame.

Kategoritë
LajmeRajoni