Cisterna e parë me naftë ruse niset drejt SHBA-së pavarësisht protestave të Ukrainës

Cisterna e parë me naftë ruse niset drejt SHBA-së pavarësisht protestave të Ukrainës

:Kremlini njoftoi se cisterna e parë me naftë ruse për Shtetet e Bashkuara të Amerikës është nisur në kuadër të marrëveshjes së re të importit mes Uashingtonit dhe Moskës.

“Cisterna e parë është nisur drejt blerësve dhe furnizimet e rregullta do të vazhdojnë”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, pa dhënë hollësi të tjera.

Zëvendëskryeministri rus Aleksandar Novak kishte deklaruar më herët gjatë kësaj jave se dërgesa e parë do të përmbajë 40 mijë tonë naftë, raportoi agjencia ruse Interfax.

Kompania e analizave të të dhënave detare Kpler bëri të ditur se anija po sinjalizon se po lundron drejt Nju Jorkut, ku pritet të mbërrijë më 7 nëntor. Sipas kompanisë, kjo do të ishte dërgesa e parë e naftës ruse në SHBA që nga korriku i vitit 2023.

Ndryshimi i papritur i politikës amerikane të sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës është vlerësuar si një përpjekje e presidentit Donald Trump për të adresuar çmimet e larta të karburanteve para zgjedhjeve për Kongresin.

Dërgesa prej 40 mijë tonësh naftë përbën rreth 300 mijë fuçi, ose afërsisht 7 për qind të rreth katër milionë fuçive naftë që ekonomia amerikane konsumon brenda një dite.

Ekspertët e politikave energjetike vlerësojnë se marrëveshja e importit, për të cilën Trump thotë se parashikon që gjatë muajve të ardhshëm në SHBA të mbërrijnë edhe miliona tonë naftë ruse, vështirë se do të ndikojë ndjeshëm në uljen e çmimeve jashtëzakonisht të larta të karburanteve.

Prodhimi i naftës në Rusi është vënë nën presion për shkak të sulmeve të përsëritura ukrainase me dronë me rreze të gjatë ndaj rafinerive ruse. Sulmet shkaktuan mungesa të karburanteve, të cilat ndërkohë janë zbutur. Trump muajin e kaluar i kërkoi Kievit t’i ndërpresë këto sulme.

Vendimi amerikan për importimin e naftës ruse ka shkaktuar shqetësim dhe zhgënjim në Ukrainë, e cila u ka bërë thirrje vendeve të tjera të ashpërsojnë sanksionet ndaj Moskës dhe t’ia kufizojnë të ardhurat që përdoren për luftën e nisur në shkurt të vitit 2022.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilësoi vendimin e Trumpit si “një vendim të dobët të partnerëve të fuqishëm”.

Marrëveshja për naftën përbën një ndryshim të papritur të politikës, vetëm disa javë pasi Trump nënshkroi një paketë të gjerë sanksionesh që parashikonte vendosjen e tarifave deri në 100 për qind ndaj pesë importuesve më të mëdhenj të naftës ose gazit natyror rus. Këto masa më pas u pezulluan.

Ky është zhvillimi më i fundit në marrëdhëniet herë pas here të paqëndrueshme mes Trumpit dhe Zelenskyt, të cilat gjatë javëve të fundit kanë arritur një pikë të re të ulët.

Ndërkohë, Agjencia Federale Ruse e Transportit Ajror, Rosaviatsia, njoftoi të premten pasdite se të katër aeroportet e Moskës – Sheremetyevo, Vnukovo, Domodedovo dhe Zhukovsky – kishin pezulluar përkohësisht fluturimet hyrëse dhe dalëse për arsye sigurie.

Në aeroportin Sheremetyevo, udhëtarëve iu kërkua të strehoheshin, raportoi agjencia ruse Interfax. Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, deklaroi se mbrojtja ajrore kishte rrëzuar 17 dronë ukrainas që kishin në shënjestër kryeqytetin rus.

Rusia dhe Ukraina gjithashtu shkëmbyen qindra të burgosur lufte, për herë të parë që nga gushti.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se secila palë liroi nga 270 të burgosur. Ukraina bëri të ditur se janë liruar 270 ushtarë dhe civilë të saj, shumica e të cilëve ndodheshin në robëri që nga viti 2022.

Kategoritë
BotaLajme