Studentët e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, së bashku me profesionistë të rinj shëndetësorë – doktorë të mjekësisë, stomatologë, farmacistë, infermierë dhe fizioterapeutë – kanë bërë publike një listë kërkesash drejtuar Qeverisë së Kosovës.
Kërkesa i është drejtuar kryeministrit Albin Kurti, ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia, ministrit të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Hajrulla Çeku dhe ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati.
Në dokument janë ngritur çështje që lidhen me punësimin e profesionistëve të rinj shëndetësorë, shkollimin specialistik, pagesën e stazhit profesional, kriteret për specializime dhe pagat në sektorin publik të shëndetësisë.
Studentët dhe profesionistët shëndetësorë theksojnë se nuk kërkojnë privilegje, por mundësi, trajtim të drejtë, respekt institucional dhe kushte që do t’u mundësonin ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në Kosovë.
KËRKOHEN VENDE PUNE PËR MJEKËT E RINJ
Një nga kërkesat kryesore është krijimi i mundësive të punësimit për mjekët e rinj pas përfundimit të studimeve dhe stazhit profesional.
Në këtë kuadër, kërkohet hartimi i një plani vjetor për punësimin e mjekëve të rinj, krijimi i një sistemi të përditësuar të të dhënave për nevojat e sistemit shëndetësor për personel, si dhe rishikimi i numrit të studentëve që pranohen në Fakultetin e Mjekësisë në përputhje me nevojat e tregut të punës.
Gjithashtu, kërkohet forcimi i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe komunave, me theks të veçantë në punësimin dhe akomodimin e mjekëve të rinj në zonat rurale.
Një tjetër kërkesë është që shkollimet specialistike të hapen rregullisht çdo vit. Sipas tyre, hapja e vendeve për specializime në intervale të parregullta krijon pasiguri dhe i detyron profesionistët e rinj të presin për periudha të gjata, duke humbur vite të rëndësishme të zhvillimit profesional.
500 EURO NETO PËR STAZHIN GJASHTËMUJOR
Një çështje tjetër e ngritur është stazhi profesional gjashtëmujor, të cilin profesionistët shëndetësorë janë të obliguar ta kryejnë pas përfundimit të studimeve.
Ata kërkojnë që gjatë kësaj periudhe të paguhen me 500 euro neto në muaj.
Gjithashtu kërkohet që periudha gjashtëmujore e stazhit profesional të njihet si përvojë pune, përfshirë edhe profesionistët që tashmë e kanë përfunduar stazhin.
KËRKOHET NDRYSHIMI I KRITEREVE PËR SPECIALIZIME
Në listën e kërkesave përfshihet edhe ndryshimi i kritereve për përzgjedhjen e kandidatëve për shkollim specialistik.
Profesionistët e rinj shëndetësorë kërkojnë që përvoja e punës të vlerësohet proporcionalisht, me nga 2 pikë për çdo vit përvojë pune, deri në maksimum 10 pikë për pesë vjet.
Ata kërkojnë gjithashtu që përvoja e punës të llogaritet edhe në bazë të muajve, në mënyrë që kohëzgjatja reale e përvojës profesionale të pasqyrohet në pikëzim.
Një tjetër kërkesë është që kandidatëve të diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës t’u njihen 3 pikë shtesë gjatë procesit të përzgjedhjes për specializime, duke argumentuar se duhet të merren parasysh standardet dhe kërkesat akademike të studimeve në këtë institucion publik.
Gjithashtu kërkohet transparencë më e madhe në publikimin e rezultateve të specializimeve. Sipas kërkesës, rezultatet nuk duhet të publikohen vetëm me numrin total të pikëve, por duhet të bëhen publike pikët e fituara nga secili kandidat për çdo kriter dhe kategori të vlerësimit.
KUNDËRSHTOHET HAPJA E PROGRAMEVE TË REJA TË MJEKËSISË NË KOLEGJET PRIVATE
Studentët dhe profesionistët e rinj shëndetësorë kundërshtojnë gjithashtu hapjen e programeve të reja të Mjekësisë së Përgjithshme në kolegjet private.
Ata kërkojnë që programe të tilla të mos miratohen pa u kryer paraprakisht një analizë e plotë për numrin e mjekëve që i nevojiten Kosovës, numrin e studentëve që pritet të diplomojnë dhe mundësitë reale të punësimit.
Në dokument theksohet se kjo kërkesë nuk synon diskriminimin e institucioneve private, por mbrojtjen e cilësisë së edukimit mjekësor dhe krijimin e një raporti të qëndrueshëm ndërmjet numrit të të diplomuarve dhe mundësive për punësim.
KËRKOHET RRITJE E PAGAVE PËR 110 EURO
Një nga kërkesat lidhet edhe me pagat e punonjësve publikë në sistemin shëndetësor.
Kërkohet rritja e koeficientit të pagave me një njësi, që do të nënkuptonte 110 euro shtesë në pagën bazë bruto mujore për pozitat që do të përfshiheshin në këtë masë.
Në kërkesë theksohet se kjo rritje nuk duhet të zëvendësojë apo të përfshijë shtesat e tjera që u takojnë punonjësve për kujdestari, ndërrime të natës, punë jashtë orarit apo angazhime të tjera të përcaktuara me ligj.
“DUAM TË QËNDROJMË NË VENDIN TONË”
Në letrën e tyre, studentët dhe profesionistët e rinj shëndetësorë theksojnë se dëshirojnë të qëndrojnë dhe të punojnë në Kosovë.
“Ne duam të qëndrojmë në vendin tonë. Duam të punojmë në sistemin shëndetësor të Kosovës. Duam që dijen dhe profesionalizmin tonë t’ia kthejmë vendit ku jemi arsimuar. Por, për ta bërë këtë, na duhet një sistem që na jep mundësi, siguri dhe dinjitet”, thuhet në kërkesë.
Ata vlerësojnë se nuk mund t’u kërkohet të rinjve të qëndrojnë në Kosovë, ndërkohë që pas diplomimit përballen me stazh të papaguar, papunësi, kritere që nuk varen prej tyre, pritje të gjata për specializime dhe kushte joadekuate.
PRESIN PËRGJIGJE NGA KURTI DERI MË 6 NËNTOR
Studentët dhe profesionistët e rinj shëndetësorë kërkojnë që kryeministri Albin Kurti t’u përgjigjet për një takim deri më 6 nëntor 2026, në mënyrë që çështjet e ngritura të diskutohen drejtpërdrejt dhe të gjenden zgjidhje konkrete.
Në dokument paralajmërohet se, nëse deri më 6 nëntor nuk marrin përgjigje zyrtare dhe ftesë për takim, do të detyrohen që kërkesat e tyre t’i shprehin përmes protestës paqësore.
Ata theksojnë se dialogu institucional mbetet rruga e parë dhe më e drejtë për zgjidhjen e këtyre çështjeve, ndërsa kërkojnë që institucionet t’i trajtojnë kërkesat e tyre me seriozitet, urgjencë dhe përgjegjësi institucionale.

