Sipas deklaratës, rreth 41 për qind e popullsisë së Sudanit përballet me pasiguri akute ushqimore, përfshirë 5 milionë njerëz që përjetojnë nivele emergjente të urisë
Mbretëria e Bashkuar dhe 31 partnerë ndërkombëtarë në një deklaratë të përbashkët kanë paralajmëruar se Sudani po përjeton një përkeqësim alarmues të sigurisë ushqimore, me 19.5 milionë njerëz që përballen me nivele të larta të pasigurisë akute ushqimore, transmeton Anadolu.
Deklarata bëri thirrje për veprime urgjente për të parandaluar urinë e përmasave katastrofike në muajt e ardhshëm, duke iu referuar paralajmërimeve të Sistemit të Integruar të Klasifikimit të Fazave të Sigurisë Ushqimore (IPC).
Sipas deklaratës, rreth 41 për qind e popullsisë së Sudanit përballet me pasiguri akute ushqimore, përfshirë 5 milionë njerëz që përjetojnë nivele emergjente të urisë.
Pa ndërhyrje të menjëhershme, numri i fëmijëve që vuajnë nga kequshqyerja akute e rëndë mund të tejkalojë shifrën e parashikuar prej 825.000, ndërsa numri i zonave me pasiguri ushqimore, fillimisht i vlerësuar në 14, pritet të dyfishohet.
Lufta civile mes ushtrisë sudaneze dhe grupit paraushtarak të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) shpërtheu në prill të vitit 2023. Që atëherë, ajo ka zhvendosur më shumë se 14 milionë njerëz dhe ka shkaktuar një nga krizat më të rënda humanitare në botë.
“Konflikti është shkaktari kryesor i krizës së urisë në Sudan”, thuhet në deklaratë, ku theksohet se luftimet kanë zhvendosur miliona njerëz, kanë dëmtuar infrastrukturën kritike dhe kanë ndërprerë shërbimet shëndetësore, prodhimin ushqimor, zinxhirët e furnizimit dhe tregjet.
Në deklaratë gjithashtu theksohet se kriza është përkeqësuar më tej nga pengimi sistematik i ndihmave humanitare dhe ndikimet e fenomenit klimatik El Nino, i cili ka ulur reshjet dhe ka shtuar thatësirën në më shumë se gjysmën e territorit të vendit.
Partnerët u bënë thirrje palëve ndërluftuese të heqin të gjitha pengesat për ndihmën humanitare dhe të sigurojnë “qasje të plotë, të sigurt, të shpejtë dhe të papenguar të ndihmave humanitare”, duke garantuar njëkohësisht mbrojtjen e punonjësve humanitarë.
Ata kërkuan që operacionet humanitare të lejohen përmes të gjitha korridoreve përgjatë vijave të frontit dhe përtej kufijve, përfshirë qasjen ajrore në Darfur, si dhe bënë thirrje për masa që do të reduktonin vonesat burokratike që pengojnë dërgimin e ndihmave.
Deklarata gjithashtu u bëri thirrje palëve të përmbahen nga sulmet ndaj infrastrukturës civile, përfshirë sistemet bujqësore dhe ushqimore, si dhe të forcojnë koordinimin për mbrojtjen e personelit dhe objekteve humanitare.
Duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të rrisë financimin, partnerët theksuan nevojën për të mbështetur sezonin dimëror të mbjelljeve dhe për të forcuar reagimet humanitare të udhëhequra nga vetë komunitetet lokale.
“Së bashku duhet të veprojmë pa vonesë për të parandaluar urinë”, thuhet në deklaratë, e cila shpreh solidaritet me popullin sudanez dhe organizatat humanitare që po përpiqen të ofrojnë ndihma jetike në kushte jashtëzakonisht të vështira.