Dy vite më parë u premtua furnizim 100% i barnave në Onkologji, disa prej tyre mungojnë edhe sot – “Tetori Rozë” në Kosovës nis me premtime të parealizuara

Dy vite më parë u premtua furnizim 100% i barnave në Onkologji, disa prej tyre mungojnë edhe sot – “Tetori Rozë” në Kosovës nis me premtime të parealizuara

Më 1 tetor edhe në Kosovë, si në botë ka fillur fushata “Tetori Rozë”, për të nisuar muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.

Në vendin tonë, kjo fushatë është hapur në Kuvendin e Kosovës, dhe aty kanë folur kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes Albulena Haxhiu.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, foli për sfidat me të cilat përballen pacientet dhe familjet e tyre. Ajo ka theksuar rëndësinë e parandalimit, diagnostikimit të hershëm dhe trajtimit.

“Sëmundja e kancerit mbetet një nga sfidat më të mëdha të shëndetësisë dhe një nga sprovat më të rënda në jetën e njeriut. Shumë prej nesh e njohin këtë përvojë përmes dikujt të dashur, sepse sapo një familjar diagnostikohet, kjo sëmundje bëhet brengë e një shtëpie të tërë. Bisedat ndryshojnë, planet lihen për më vonë dhe të afërmit mësojnë ta matin kohën nga një kontroll tek tjetri”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka bërë të ditur se gjatë vitit të kaluar në Kosovë janë raportuar 601 raste të reja me kancer të gjirit.

“Vitin e kaluar në Kosovë janë raportuar 601 raste të reja me kancer të gjirit. Secili rast ka hyrë në jetën e dikujt që deri atëherë kishte shqetësime të tjera: në punë, në shtëpi, plane të pambaruara për të ardhmen. Papritur, shumëçka duhej të preste”, ka deklaruar Haxhiu.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti ka thënë se gjatë vitit 2025 në Kosovë janë raportuar 601 raste të reja me kancer të gjirit, prej të cilave 592 te gratë dhe 9 te burrat.Sipas Kurtit, në vitet e fundit është shënuar përmirësim në diagnostikimin e hershëm të kësaj sëmundjeje. 

“Gjatë vitit 2025, në Kosovë janë raportuar 601 raste të reja të kancerit të gjirit, 592 te gratë dhe 9 te burrat. Deri në vitin 2022, shumica e rasteve të diagnozuara me kancer të gjirit ishin ose në fazën e tretë ose në të katërtën. Falë shtimit të pajisjeve diagnostikuese dhe fushatave ndërgjegjësuese nga Ministria e Shëndetësisë dhe në bashkëpunim me organizatat joqeveritare, në vitet 2023 dhe 2024 shumica e rasteve u diagnozuan në fazën e dytë ose të tretë. I njëjti trend është identifikuar edhe në vitin e kaluar 2025, kur mbi 53.4% e rasteve janë diagnozuar në stadet e hershme”, ka deklaruar Kurti.Ai ka theksuar rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe diagnostikimit të hershëm, duke bërë të ditur se në shëndetësinë publike mamografia ofrohet falas që nga viti 2023.

“Për këto raste, mundësitë për trajtim dhe shërim janë dukshëm më të mira. Zbulimi i hershëm është aq i rëndësishëm saqë shpëton jetë. Shqetësimet nuk duhet të injorohen dhe kontrollet nuk duhet të shtyhen apo të mundohen”, ka thënë Kurti.

Por, cila është situata në Klinikën e Onkologjisë në QKUK?

Klinika e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare, është Klinika ku trajtohen pacientët me të gjitha llojet e kancerit, përfshirë edhe ata me kancer të gjirit.

Kjo Klinikë si edhe të tjerat, ka mungesa të barnave. Një ndër to që mungon aktualisht është Avastin (Bevacizumab) e cila përdoret në raste të caktuara të kancerit metastatik të gjirit.

Pas mungesër për disa kohë, dje janë siguruar baret Phesgo dhe Ribociclib të cilat perdoren kundër kancerit të gjirit. Phesgo përdoret kryesisht për kancer të gjirit HER2-pozitiv ndërsa Ribociclib për kancer të gjirit HR-Pozitiv dhe HER2-negativ.

Në vitin 2024, kur janë përuruar renovimet në Klinikën e Onkologjisë, Kurti kishte premtuar se furnizimi me barna në këtë Klinikë gjatë vitit 2025 do të jetë 100%.

“60 shtretërve modern së shpejti pritet t’i shtohen edhe 50 të tjerë për ta çuar në 110 numrin total të tyre, nga vetëm 45 sa ishin para dy muajve e për shumë vite rresht. Në të njëjtën kohë, po ofrohet falas vaksina HPV për sëmundjen e kancerit të qafës së mitrës dhe lista e barnave esenciale është zgjeruar për shkak se buxhetin për barna esenciale e kemi rritur për 150%”, ka thënë Kurti më 5 korrik 2024 përmes një postimi në Facebook.

Pavarësisht këtij premtimi, barnat në këtë klinikë vazhdojnë të jenë mungesë dhe furnizimi me to ende nuk është 100%.

Pacientët me kancer të gjirit dhe lloje të tjera të kancereve, përballen me mungesa të barnave të ndryshme në vazhdimësi të cilat zakonisht janë edhe me çmime shumë të shtrenjta, e që e pamundësojnë sigurimin e tyre nga vetë pacientët. /Lajmi.net/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi
Reklamë: ABE Kosova