Koalicioni i partive arabe, Lista e Përbashkët, e ka akuzuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu se me pretendime të pabazuara për manipulim zgjedhor dhe ndërhyrje të huaj po përpiqet të minojë rezultatet e zgjedhjeve. Koalicioni i bëri thirrje opozitës që, së bashku me partitë arabe, ta rrëzojnë qeverinë e tij.
“Kemi mbaruar me kërkimfaljet dhe me mbrojtjen nga gënjeshtrat e pista dhe akuzat e pabazuara të së djathtës, e cila refuzon të pranojë rezultatet e zgjedhjeve. Këto akuza raciste vetëm tregojnë se sa shumë i tremben fuqisë së komunitetit tonë”, thuhet në deklaratën e partisë, të cilën e transmeton Times of Israel.
Lista e Përbashkët akuzon zyrtarë të Likud-it se kanë financuar një fushatë të koordinuar kundër pjesëmarrjes politike të arabëve, e cila, sipas partisë, kishte nisur muaj para zgjedhjeve. Fushata përfshinte përpjekje për diskualifikimin e partive arabe dhe frikësimin e votuesve në vendvotime.
“Dolëm në zgjedhje në një numër të paprecedentë dhe arritëm një rezultat historik, si për komunitetin tonë ashtu edhe për të gjithë bllokun demokratik. Asnjë fushatë shpifjesh nuk do ta fshijë suksesin e publikut arab”, thuhet në deklaratë.
Sipas projeksioneve, blloku i Netanyahut do të fitonte 53 mandate, ndërsa blloku opozitar i udhëhequr nga Gadi Eisenkot 48 mandate. Lista e Përbashkët dhe Ra’am kanë së bashku 19 mandate, çka do t’i mundësonte opozitës të siguronte shumicën në Knesset, nëse partitë arrijnë marrëveshje për bashkëpunim.
“U bëjmë thirrje liderëve të bllokut opozitar që të ndalojnë së bashkëpunuari me gënjeshtrat e pista të Netanyahut dhe të kahanistëve racistë”, deklaroi Lista e Përbashkët.
Nga opozita kërkohet të tregojë guxim politik jo vetëm me fjalë, por edhe me veprime.
“Pa ne nuk mund të fitoni. Me ne mund të ndërtojmë një të ardhme ndryshe”, thuhet në deklaratë.
Reagimi erdhi pasi kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjyqtari Noam Sohlberg, kërkoi nga shërbimi Shin Bet të hetojë pretendimet për financim të huaj me synim ndikimin në zgjedhje.
Publikut nuk i janë paraqitur prova që do t’i konfirmonin këto dyshime apo që do t’i lidhnin partitë arabe me to. Megjithatë, Netanyahu dhe aleatët e tij e kanë përdorur hetimin për të pretenduar se zgjedhjet janë “vjedhur” përmes financimit të huaj që ka rritur pjesëmarrjen e votuesve arabë.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Dean Livne, i hodhi poshtë pretendimet për manipulim masiv si të pabazuara. Ai tha se votimi është zhvilluar në përputhje me ligjin dhe se, me sa është në dijeni, nuk ka prova për parregullsi sistematike.
