Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka shkarkuar një nga planifikuesit më të rëndësishëm ushtarakë të Pentagonit, gjenerallejtënant Brett Sylvia, në një kohë kur presidenti Donald Trump po shqyrton mundësinë e sulmeve të reja ndaj Iranit.
Shkarkimi vjen pas një serie largimesh të oficerëve të lartë amerikanë, ndërsa Pentagoni ende nuk ka dhënë një shpjegim zyrtar për arsyet.
Sylvia ishte drejtor për strategji, planifikim dhe politika në Shtabin e Përbashkët të Forcave të Armatosura të SHBA-së. Në këtë detyrë ai merrte pjesë në hartimin e planeve ushtarake dhe rekomandimeve strategjike për udhëheqjen ushtarake amerikane.
Pasardhësi i tij ende nuk është emëruar, raportojnë AP, The Atlantic dhe Washington Post.
Pentagoni: Dyshohet për rrjedhje të informacioneve të klasifikuara
Sipas informacioneve që zyrtarë të Pentagonit i kanë dhënë CBS News dhe Fox News, Sylvia është shkarkuar për shkak të dyshimeve se u ka përcjellë gazetarëve informacione të klasifikuara që lidhen me luftën kundër Iranit dhe luftën ruse në Ukrainë.
Një zyrtar pretendon se Sylvia nuk ka kaluar tri teste me poligraf që lidhen me dyshimet për zbulimin e të dhënave të klasifikuara.
Sipas të njëjtit burim, rasti i është përcjellë Departamentit amerikan të Drejtësisë.
Bëhet fjalë për pretendime të zyrtarëve anonimë, të cilat deri më tani nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur. Nuk është bërë e ditur se ndaj Sylvias është ngritur ndonjë aktakuzë, ndërsa reagimi i tij ndaj këtyre pretendimeve nuk është bërë publik.
SHBA paralajmëroi vendet arabe për një sulm të mundshëm të ri ndaj Iranit
Shkarkimi ndodh në një moment veçanërisht të ndjeshëm.
Wall Street Journal raportoi se Uashingtoni ka paralajmëruar disa shtete arabe të Gjirit Persik që të përgatiten për një operacion të mundshëm ushtarak të shkurtër, por intensiv, kundër Iranit pas zgjedhjeve amerikane të 3 nëntorit.
Sipas burimeve të njohura me bisedimet, paralajmërimet janë përcjellë përmes kanaleve diplomatike dhe ushtarake.
SHBA-ja dhe Izraeli thuhet se po përgatisin një valë të re sulmesh të mëdha, me synim dobësimin e kapaciteteve ushtarake iraniane dhe detyrimin e Teheranit që të hyjë në negociata.
Në të njëjtën kohë, forcat amerikane po zhvendosin personelin nga bazat më të cenueshme, po plotësojnë rezervat e municioneve dhe po forcojnë mbrojtjen kundërraketore në Lindjen e Mesme. Në rajon po dërgohen edhe forca shtesë detare.
Trump ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për sulme të reja.
Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se nuk komenton plane të mundshme ushtarake dhe se presidenti i mban të gjitha opsionet të hapura për të parandaluar Iranin që të zhvillojë armë bërthamore.
Gjenerali i dytë i shkarkuar nga e njëjta pozitë
Sylvia është oficeri i dytë i lartë që Hegseth ka larguar nga kjo detyrë.
Paraardhësi i tij, gjenerallejtënant Joseph McGee, u detyrua të pensionohej vitin e kaluar.
Para se të vinte në Pentagon, Sylvia kishte komanduar Divizionin e 101-të Ajror të Ushtrisë Amerikane.
Gjatë karrierës së tij 32-vjeçare ushtarake, ai kishte shërbyer në Irak dhe Afganistan, ku ishte plagosur dhe ishte dekoruar për trimëri.
Washington Post shkruan se shkarkimi i tij i papritur ka shkaktuar pakënaqësi mes kolegëve, të cilët e konsideronin një komandant me përvojë dhe të matur.
Sylvia më herët ishte vënë në shënjestër edhe nga aktivistja e djathtë Laura Loomer, e afërt me Trumpin, e cila kishte kërkuar publikisht nga Hegseth që ta rishqyrtonte pozitën e tij në ushtri.
Hegseth ka shkarkuar një sërë oficerësh të lartë
Që nga ardhja e Hegsethit në krye të Pentagonit, një numër i madh oficerësh të lartë amerikanë janë shkarkuar ose janë larguar.
Mes tyre është edhe shefi i shtabit të ushtrisë tokësore, Randy George, si dhe gjeneralë të tjerë në poste të rëndësishme komanduese.
Sipas një raporti të AP-së, gjatë mandatit të Hegsethit janë larguar pothuajse 20 komandantë të lartë ushtarakë, ndërsa arsyet për shumicën e këtyre largimeve nuk janë shpjeguar publikisht.
Hegseth pretendon se ndryshimet kadrovike janë pjesë e përpjekjeve për të rritur përgjegjshmërinë dhe efikasitetin e ushtrisë.
Ai ka urdhëruar gjithashtu që numri i posteve më të larta të oficerëve të zvogëlohet me 20 për qind deri në janar të vitit 2027.
Kritikët e tij, megjithatë, paralajmërojnë se shkarkimet e shpeshta mund të dëmtojnë stabilitetin e sistemit komandues dhe të krijojnë presion mbi oficerët që nuk pajtohen me udhëheqjen politike.
Kongresisti demokrat Seth Moulton, ish-oficer i marinsave, kishte paralajmëruar më herët se shkarkimet e motivuara politikisht mund të çojnë në politizimin e ushtrisë dhe në krijimin e një sistemi autoritar komandimi.
Shkarkimi i Sylvias ndodhi ndërsa Shtetet e Bashkuara po përgatiten për mundësinë e një përshkallëzimi të ri të luftës tetëmujore me Iranin.
Ende nuk dihet se kush do t’i marrë përsipër përgjegjësitë e tij në planifikimin e operacioneve ushtarake amerikane.
