Britanikja padit autoritetet lokale në Londër, thotë se e shqetëson Ambasada e Malit të Zi në lagje

Britanikja padit autoritetet lokale në Londër, thotë se e shqetëson Ambasada e Malit të Zi në lagje

Shndërrimi i një shtëpie familjare në lagjen Pimlico të Londrës në Ambasadën e Malit të Zi ka përfunduar në Gjykatën e Lartë, pasi një fqinje e ambasadës paditi Këshillin e Qytetit të Westminsterit, duke pretenduar se nuk ishte marrë parasysh ndikimi në shëndetin e saj mendor, shkruan “The Guardian”.

Diana Simpson, 35 vjeçe, e cila jeton me prindërit e saj në Cambridge Street, kërkon rishikim gjyqësor të vendimit dhe mundësi kompensimi.

Sipas padisë, këshilli nuk e mori parasysh gjendjen e saj shëndetësore kur ambasada, vetëm pasi ishte vendosur në objekt, kërkoi leje për ndryshimin e destinimit të ndërtesës dhe vendosjen e një shtylle flamuri.

Simpson është vajza e një ish-diplomati amerikan dhe jeton në këtë rrugë prej më shumë se tri dekadash. Ajo përfiton ndihmë për shkak të aftësisë së kufizuar dhe është diagnostikuar me ankth klinik, COVID të zgjatur dhe çrregullim neurologjik funksional.

Në kërkesën drejtuar gjykatës, ajo thotë se për shkak të ambasadës fle keq dhe shpesh kalon në një dhomë tjetër, sepse çdo zhurmë e bën të frikësohet se dikush nga ambasada mund të hyjë në shtëpi, megjithëse edhe vetë pranon se kjo ka shumë pak gjasa të ndodhë.

Duke iu referuar ligjeve britanike për të drejtat e njeriut dhe barazinë, ajo pretendon gjithashtu se këshilli ka vepruar në mënyrë irracionale dhe se konsultimet publike janë zhvilluar me një vendim të paracaktuar, pasi Ministria e Jashtme britanike kishte dhënë më parë pëlqimin.

Ajo thotë gjithashtu se po mendon nëse mund të vazhdojë të jetojë në atë shtëpi.

Këshilli i Qytetit të Westminsterit i ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet, duke argumentuar se ambasada nuk ndërhyn në asnjë mënyrë në shtëpinë, privatësinë apo jetën familjare të paditëses.

Këshilli ka kërkuar që gjyqtari Mould të vendosë për çështjen pa mbajtur seancë gjyqësore.

Pakënaqësitë e fqinjëve kishin nisur edhe më herët. Në parashtresat drejtuar këshillit këtë pranverë, një banor kishte shkruar se shtylla dhe, siç e përshkroi ai, “flamuri mjaft kiç”, bie tepër në sy mes fasadave të mbrojtura të periudhës së Regjencës, të projektuara nga arkitekti Thomas Cubitt, raporton “The Guardian”.

Një pjesë e banorëve u qetësuan pasi i ngarkuari me punë i Malit të Zi organizoi një takim shoqëror me fqinjët.

“The Guardian” shkruan se shtetet më të vogla po zhvendosin gjithnjë e më shpesh ambasadat në shtëpi banimi në lagjet më të pasura të Londrës për shkak të rritjes së qirave, duke u përpjekur të qëndrojnë pranë Belgravias, Kensingtonit dhe Mayfairit, ku ndodhen ambasadat e shteteve të mëdha.

Edhe Ambasada e Turkmenistanit është hapur së fundmi në një shtëpi familjare të përshtatur në Kensington, gjë që gjithashtu ka shkaktuar ankesa nga fqinjët.

Koreja e Veriut, nga ana tjetër, prej dy dekadash e ka ambasadën në një shtëpi me shtatë dhoma gjumi në Ealing, në perëndim të Londrës, dhe sipas “The Guardian”, fqinjët nuk kanë probleme me të.

Kategoritë
BotaLajme