Lideri i partisë opozitare polake Ligj dhe Drejtësi (PiS), Jaroslaw Kaczynski, ka lënë të hapur mundësinë e nisjes së negociatave për daljen e Polonisë nga Bashkimi Evropian, nëse mënyrat e tjera për reformimin e unionit nuk japin rezultat.
Kryeministri polak Donald Tusk deklaroi se nuk ka ndërmend ta humbasë këtë betejë.
Kaczynski i bëri këto deklarata të mërkurën gjatë një fjalimi në Krynica Forum 2026, ku foli për nevojën e ndryshimeve të thella në Bashkimin Evropian.
“Bashkimi Evropian duhet të ndryshojë. Ky është bindja ime e thellë, bindja e forcës sime politike, por mendoj se edhe e shumë polakëve”, tha Kaczynski.
Si mënyra të mundshme për ndryshimin e BE-së, ai përmendi ndikimin mbi opinionin publik dhe hartimin e një marrëveshjeje të re mes shteteve të interesuara, me hyrje në fuqi të shtyrë.
Ai mbështet gjithashtu shfuqizimin e Komisionit Evropian, rolin e të cilit do ta merrte Këshilli Evropian.
Lideri i PiS-it kujtoi se Traktati për Bashkimin Evropian dhe Traktati për Funksionimin e BE-së përcaktojnë rregullat sipas të cilave një shtet mund të largohet nga blloku.
“Gjithçka fillon me negociata dhe thjesht duhet të nisin ato negociata. Është një metodë e ashpër dhe e rrezikshme, por gjendja është aq e keqe sa ia vlen të përdoret edhe një metodë e tillë, nëse të tjerat nuk japin rezultat”, tha ai.
Kaczynski shtoi se një hap i tillë do të kërkonte vendosmëri dhe harmonizim të qëndrimeve mes shteteve te të cilat mbështetet.
Kryeministri Donald Tusk reagoi përmes një postimi në rrjetin X.
“Jaroslaw Kaczynski sapo njoftoi se Polonia duhet të nisë negociatat për kushtet e daljes nga Bashkimi Evropian. Pikërisht për këtë, ndër të tjera, po zhvillohet sot beteja në Poloni. Një betejë e ashpër. Nuk kam ndërmend ta humbas, edhe nëse jo të gjithë luajnë në anën time”, shkroi Tusk.
Ministri i Jashtëm Radoslaw Sikorski shkroi në rrjetet sociale se “megjithatë e duan Polexit-in”, duke përmendur si pasoja të mundshme të daljes nga BE-ja vendosjen e kufirit doganor me Gjermaninë, Çekinë, Sllovakinë dhe Lituaninë, rikthimin e kontrolleve të pasaportave në aeroporte dhe përfundimin e subvencioneve për fermerët.
PiS, gjatë kohës që ishte në pushtet, i kishte hedhur poshtë pretendimet se Polonia mund të largohej nga Bashkimi Evropian.
Zgjedhjet parlamentare në Poloni pritet të mbahen në vitin 2027.
