Në zonën Gorice pranë Brçkos, në Bosnjë e Hercegovinë, është rrëzuar një helikopter ushtarak. Bëhet fjalë për një helikopter të EUFOR-it.
Nga fotografitë shihet se helikopteri është shkatërruar plotësisht, ndërsa sipas informacioneve jozyrtare, tre persona kanë humbur jetën.
EUFOR-i ka konfirmuar se në aksident është përfshirë një nga mjetet e tij ajrore.
“EUFOR-i mund të konfirmojë se sot, gjatë një operacioni rutinë në zonën e Brçkos, ka ndodhur një aksident ku është rrëzuar një nga mjetet tona ajrore”, thuhet në njoftim.
EUFOR-i bëri të ditur se në këtë aksident nuk janë dëmtuar infrastruktura civile, pronat apo automjetet dhe se nuk ka civilë të lënduar.
“EUFOR-i po zhvillon një hetim të plotë dhe të detajuar për incidentin dhe do të publikojë më shumë informacione pasi të vërtetohen faktet dhe kur kjo të jetë e përshtatshme”, thuhet më tej në njoftim.
Në fund, EUFOR-i u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin dezinformatat lidhur me incidentin dhe të ndjekin vetëm kanalet zyrtare të informacionit.
Në vendin e rrëzimit kanë mbërritur menjëherë Policia e Distriktit të Brçkos, ekipet e zjarrfikësve dhe të ndihmës së shpejtë. Zona më e gjerë është siguruar nga autoritetet.
Pritet që Policia e Distriktit të Brçkos të dalë së shpejti me informacione të reja lidhur me aksidentin.
