Katari hedh poshtë akuzat për ndërhyrje në zgjedhjet në Izrael: Pretendime absurde dhe të rrezikshme

Katari hedh poshtë akuzat për ndërhyrje në zgjedhjet në Izrael: Pretendime absurde dhe të rrezikshme

Katari ka hedhur poshtë kategorikisht akuzat e disa politikanëve izraelitë se ka ndërhyrë në zgjedhjet në Izrael dhe ka financuar aktivitete me qëllim ndikimin në rezultatet e tyre.

“Ne i hedhim poshtë akuzat e ngritura nga disa politikanë izraelitë dhe kontaktet e tyre në media, të cilët kanë nisur edhe një fushatë tjetër dezinformuese me synimin për ta përfshirë Katarin në mosmarrëveshjet politike izraelite pas zgjedhjeve të mbajtura këtë javë”, shkroi në X Majed Al-Ansari, këshilltar i kryeministrit dhe zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Katarit.

Al-Ansari tha se Katari është akuzuar se ka “blerë” Benjamin Netanyahun, të majtën izraelite dhe tani edhe votat e zgjedhësve arabë.

“Nëse do t’u besohej këtyre pretendimeve, do të rezultonte se Katari e zotëron të gjithë Izraelin. Këto akuza janë po aq absurde sa edhe të rrezikshme”, tha ai.

Ai shtoi se përmendja e vazhdueshme e Katarit në retorikën parazgjedhore izraelite tregon, sipas tij, një obsesion të tepruar të disa politikanëve dhe mediave izraelite me vendin e tij.

Al-Ansari theksoi se Katari nuk duhet të shndërrohet në “kokë turku” për dështimet politike të disa politikanëve izraelitë dhe përsëriti se Doha nuk ka asnjë lidhje me garën politike apo zgjedhore në Izrael.

Reagimi i Katarit erdhi pasi kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Izraelit, Noam Sohlberg, kërkoi nga kreu i Shin Bet-it, David Zini, të hetojë pretendimet për ndërhyrje të huaj në zgjedhje, përfshirë dyshimet për financim dhe ryshfet të lidhur me Katarin.

Likud-i i Netanyahut, i cili fitoi numrin më të madh të votave, kishte akuzuar më herët partitë e udhëhequra nga arabët se kishin “vjedhur” zgjedhjet, por nuk kishte paraqitur prova konkrete.

Kategoritë
BotaLajme