Breel Embolo nuk do të jetë pjesë e Përfaqësueses së Zvicrës në ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve, pas vendimit gjyqësor që lidhet me përdorimin e certifikatave të falsifikuara gjatë pandemisë së COVID-19.
Sulmuesi zviceran kishte përdorur në vitin 2021 dy certifikata të falsifikuara të testimit për COVID-19. Sipas raportimeve në mediat zvicerane, dokumentet ishin siguruar përmes një personi me lidhje me një laborator në Basel.
Në nëntor të vitit 2025, prokuroria e Baselit e dënoi Embolon me një dënim financiar me kusht prej 20 ditësh, me nga 3 mijë franga zvicerane në ditë, që në total arrin shumën prej 60 mijë frangash.
Futbollisti e ka pranuar vendimin dhe ka marrë përgjegjësinë për veprimet e tij.
Pas zhvillimeve të fundit, Federata Zvicerane e Futbollit ka vendosur që Embolo, 29-vjeçar, të mos i bashkohet ekipit për ndeshjet e radhës të Ligës së Kombeve.
Në këtë çështje është përfshirë më herët edhe kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, i cili po ashtu është përballur me një rast që lidhet me certifikatat e COVID-19.

