Prokuroria e Polonisë ka publikuar detaje të reja nga hetimet ndaj sulmuesit Michal Oksinski, i cili gjatë fundjavës vrau gjashtë persona dhe plagosi 15 të tjerë në një shesh në qytetin e Krakovit.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit, Przemyslaw Nowak, deklaroi se policia ka sekuestruar një numër shumë të madh gëzhojash në vendin e ngjarjes.
“Kemi sekuestruar një numër shumë të madh gëzhojash. Në Krakov janë shkrepur të paktën disa dhjetëra të shtëna, ndoshta edhe disa qindra. Numri i saktë do të dihet pas analizimit të dokumentacionit që prokurorët dhe policia kanë mbledhur gjatë fundjavës”, deklaroi Nowak.
Prokuroria e cilëson sulmin akt terrorist
Zëdhënësi theksoi se Prokuroria e ka cilësuar ngjarjen si akt terrorist dhe ka nisur hetimet për vrasjet dhe tentativat për vrasje.
“Dje kemi nisur hetimet, të cilat përfshijnë sulmin dhe vrasjet në Krakov. Bëhet fjalë për vrasjen e gjashtë personave dhe tentativën për vrasjen e personave të tjerë, përfshirë dy policë. Prokurori e ka cilësuar këtë si akt terrorist”, tha ai.
Sipas Nowak, hetimet përfshijnë edhe ngjarjet e ndodhura në disa banesa në qytetin Ostrowiec Świętokrzyski, ku të gjitha të dhënat tregojnë se i njëjti autor dyshohet se kishte vrarë më parë tre anëtarë të familjes së tij: prindërit dhe motrën.
Në automjet u gjetën rreth 500 fishekë dhe katër armë
Prokuroria ka bërë të ditur gjithashtu detaje lidhur me armatimin e gjetur te sulmuesi dhe në automjetin e tij.
“Në automjet dhe te Michal Oksinski janë gjetur gjithsej katër armë, përfshirë dy pushkë të tipit AR-15 dhe dy pistoleta. Gjithashtu, te ai dhe në automjet janë gjetur disa qindra fishekë për këto armë, përkatësisht rreth 500 fishekë shtesë që mund të ishin përdorur”, deklaroi zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit, Przemyslaw Nowak.
Ndërkohë, sipas raportimeve, sulmuesi i Krakovit ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në një spital në Poloni.
