Bajrami me tetë propozime për fazën e Apelit për ish-krerët e UÇK-së

Bajrami me tetë propozime për fazën e Apelit për ish-krerët e UÇK-së

Akademiku dhe ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami ka propozuar themelimin urgjent të një komisioni shtetëror të ekspertëve juridikë, i cili do të angazhohej në analizimin e aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Dhomat e Specializuara në Hagë dhe do të ofronte ekspertizë plotësuese për ekipet e mbrojtjes në fazën e ankimimit.

Bajrami ka vlerësuar se procesi i ardhshëm ankimor përbën një sfidë të rëndësishme juridike dhe institucionale për Kosovën, duke theksuar se angazhimi duhet të përqendrohet në argumente profesionale, analiza të provave dhe identifikimin e shkeljeve të mundshme procedurale dhe materiale.

“Beteja e ardhshme është ekskluzivisht juridike”, ka shkruar Bajrami, duke shtuar se Kosova duhet ta zhvendosë fokusin nga mobilizimi politik drejt atij juridik dhe profesional.

Sipas tij, komisioni i propozuar duhet të përbëhet nga gjyqtarë dhe ish-gjyqtarë, prokurorë, avokatë penalistë, profesorë të së drejtës penale dhe ekspertë të së drejtës penale ndërkombëtare.

Ai ka propozuar që ky mekanizëm të ketë mandat të analizojë aktgjykimin e shkallës së parë, të shqyrtojë vlerësimin e provave, përgjegjësinë individuale penale dhe bazën juridike të pretendimeve për përgjegjësi komanduese.

Bajrami ka kërkuar që ekspertiza të përfundojë brenda muajit nëntor, në përputhje me afatet procedurale të ankimimit, duke theksuar se puna e komisionit nuk duhet të vonojë përgatitjen e ankesave nga ekipet e mbrojtjes.

“Dokumenti i komisionit duhet të shërbejë si material plotësues për mbrojtjen dhe jo si kusht apo pengesë për dorëzimin me kohë të ankesave”, ka theksuar ai.

Në propozimin e tij, Bajrami ka renditur disa drejtime ku sipas tij duhet të përqendrohet strategjia juridike në shkallën e dytë.

Ndër to përfshihen kundërshtimi i konstatimeve faktike të aktgjykimit, analiza e përgjegjësisë individuale të të akuzuarve, vlerësimi i besueshmërisë së dëshmitarëve dhe shqyrtimi i pretendimeve për ekzistencën e një plani apo qëllimi kriminal.

Ai ka vënë theks të veçantë edhe te dokumentimi i kontekstit historik dhe juridik të luftës në Kosovë, si dhe te analiza e strukturës organizative dhe komanduese të UÇK-së.

Bajrami ka propozuar gjithashtu identifikimin e dëshmitarëve dhe provave shtesë që mund të pranohen në procedurën ankimore, duke nënvizuar se ankimi nuk nënkupton përsëritje automatike të gjykimit të shkallës së parë.

“Qëllimi nuk është thjesht shtimi i numrit të dëshmitarëve. Qëllimi është që çdo dëshmi dhe çdo provë të ketë rëndësi konkrete juridike”, ka shkruar ai.

Një tjetër propozim i tij është angazhimi i ekspertëve ndërkombëtarë dhe organizatave të pavarura për monitorimin e respektimit të standardeve të gjykimit të drejtë në Dhomat e Specializuara.

Në këtë drejtim, ai ka përmendur respektimin e prezumimit të pafajësisë, barazinë e armëve ndërmjet akuzës dhe mbrojtjes, të drejtën për mbrojtje efektive dhe administrimin e paanshëm të provave.

Bajrami ka kërkuar që Kosova të analizojë edhe përvojën e Kroacisë në procesin gjyqësor ndaj gjeneralëve Ante Gotovina dhe Mladen Markaq në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Të dy ishin dënuar në shkallën e parë, por më 16 nëntor 2012, Dhoma e Apelit i liroi nga akuzat përkatëse dhe rrëzoi dënimet.

Sipas Bajramit, ky rast duhet të studiohet për mënyrën se si janë sfiduar konstatimet faktike, si janë vlerësuar provat dhe cilat argumente juridike kanë çuar në ndryshimin e vendimit në apel.

Bajrami ka propozuar që Presidentja, Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës të angazhohen në komunikimin me shtetet donatore të Dhomave të Specializuara dhe shtetet mike të Kosovës.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi