Ministrja e Punëve të Jashtme e Irlandës, Helen McEntee, i ka bërë thirrje Izraelit të ndalojë bllokimin e ndihmave humanitare për Gazën, pasi reshjet e dendura të shiut gjatë fundjavës shkatërruan strehimoret e përkohshme të palestinezëve të zhvendosur.
Në një deklaratë të publikuar të hënën, McEntee tha se është thellësisht e shqetësuar nga raportimet që vijnë nga Gaza pas përmbytjeve shkatërruese.
Sipas saj, njerëzit që gjatë viteve të fundit kanë përjetuar vuajtje të paimagjinueshme dhe kanë humbur shumëçka, tani po përballen me shkatërrime të reja, pasi reshjet po shkatërrojnë strehimoret e përkohshme dhe po rrezikojnë jetën e tyre.
Duke iu referuar të dhënave të Kombeve të Bashkuara, McEntee bëri të ditur se më shumë se 26 mijë familje janë prekur nga përmbytjet, ndërsa mijëra strehimore janë dëmtuar ose shkatërruar. Ajo shtoi se janë regjistruar edhe viktima, mes tyre fëmijë të vegjël.
“Irlanda qëndron në solidaritet me popullin palestinez në këtë moment jashtëzakonisht të vështirë. Përkushtimi ynë për të mbështetur popullin e Gazës mbetet i palëkundur”, deklaroi ajo.
Kritika të ashpra ndaj Izraelit
McEntee kërkoi që të sigurohen urgjentisht fondet për ndihmat humanitare dhe autorizimet izraelite për hyrjen e tyre në Gaza.
“Izraeli duhet të ndalojë bllokimin e qëllimshëm të ndihmave, ushqimeve dhe furnizimeve që shpëtojnë jetë. Veprimet e tij janë të dënueshme dhe të papranueshme”, theksoi ministrja irlandeze.
Sipas saj, tendat dhe objektet e përkohshme nuk përbëjnë më zgjidhje në këtë fazë të krizës. Ajo theksoi se nevojiten urgjentisht struktura kalimtare që ofrojnë strehim më të qëndrueshëm për banorët e Gazës.
Ministrja irlandeze vlerësoi se kriza mund të zgjidhet vetëm përmes një zgjidhjeje diplomatike dhe politike.
Ajo paralajmëroi se përkeqësimin e situatës në Gaza do ta ngrejë si çështje me homologët e saj të Bashkimit Evropian, përpara takimit të Komunitetit Politik Evropian, që do të mbahet këtë javë në Dublin, si dhe në mbledhjen e Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së në fillim të javës së ardhshme.
McEntee theksoi se Irlanda do të vazhdojë të bashkëpunojë me partnerët evropianë për të siguruar që banorët e Gazës të marrin ndihmën urgjente humanitare për të cilën kanë nevojë.
