Në Antalia të Turqisë nis sot Samiti i Kombeve të Bashkuara për Klimën, COP31, ndërsa Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) paralajmëron se temperatura mesatare globale nga janari deri në shtator ishte 1,47 gradë Celsius mbi nivelin paraindustrial.
Sipas raportit të WMO-së mbi gjendjen e klimës, të publikuar përpara samitit, viti 2026 ka të ngjarë të jetë një nga katër vitet më të nxehta që nga fillimi i matjeve. Deri më tani, rekordin e mban viti 2024, kur temperatura ishte 1,55 gradë Celsius mbi mesataren e periudhës 1850–1900.
Shifra përfundimtare për këtë vit mund të jetë edhe më e lartë. WMO thekson se fenomeni El Niño zakonisht e rrit temperaturën mesatare vjetore me 0,1 deri në 0,2 gradë Celsius. Ky fenomen është duke u intensifikuar që nga gushti dhe deri në dhjetor mund të bëhet më i fuqishmi i regjistruar ndonjëherë. Sipas parashikimeve, ai pritet të vazhdojë edhe në fillim të vitit 2027.
Grupi amerikan i kërkimeve Berkeley Earth është edhe më i vendosur në parashikimet e tij. Siç raporton BBC, studiuesit e këtij grupi pretendojnë me 95 për qind siguri se viti 2026 do ta thyejë rekordin e vitit 2024. Ndërkohë, shërbimi evropian Copernicus ka konfirmuar se tetori ishte muaji tetor më i nxehtë që nga fillimi i matjeve.
“El Niño nuk i shton nxehtësi të re planetit. Ai çliron nxehtësinë nga oqeanet, të cilat aktualisht janë më të ngrohtat e regjistruara ndonjëherë”, deklaroi sekretarja e përgjithshme e WMO-së, Celeste Saulo.
Secili nga 12 vitet e fundit renditet ndër më të nxehtët në historinë e matjeve, ndërsa periudha 2023–2026 përfshin katër vitet më të nxehta.
Oqeanet thithin rreth 90 për qind të nxehtësisë së tepërt dhe, sipas WMO-së, këtë vit pritet të regjistrohet rritja e dhjetë radhazi e përmbajtjes së nxehtësisë në oqeane. Edhe niveli i detit ka arritur një rekord të ri.
Valët e të nxehtit, thatësirat dhe zjarret në Evropë gjatë këtij viti, sipas vlerësimeve paraprake të WMO-së, kanë shkaktuar mbi 30 mijë vdekje më shumë sesa pritej. Në Nepal, në fund të gushtit, më shumë se 1.300 persona humbën jetën si pasojë e një orteku akulli dhe përmbytjeve.
Përqendrimi i dioksidit të karbonit në atmosferë vitin e kaluar arriti në rreth 426,8 pjesë për milion, ose 53 për qind më shumë krahasuar me vitin 1750.
Gjatë dy javëve të ardhshme, në Antalia, përfaqësuesit e shteteve do të negociojnë për heqjen dorë nga lëndët djegëse fosile dhe për çështjen se kush duhet t’i mbulojë dëmet e vendeve që tashmë janë goditur më rëndë nga ndryshimet klimatike.
Marrëveshja e vitit të kaluar, e arritur në samitin COP30 në Brazil, nuk i përmendi fare lëndët djegëse fosile.
“Udhëheqësit duhet ta marrin më seriozisht këtë çështje dhe të përshpejtojnë uljen e emetimeve”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres.
