Qeveria spanjolle po shqyrton mundësinë e pezullimit të funksionimit të TikTok-ut në vend, pasi një hetim i organizatës Maldita.es zbuloi në platformë më shumë se 1.000 video dhe fotografi me përmbajtje eksplicite të abuzimit seksual të fëmijëve, të cilat kishin grumbulluar gjithsej 48 milionë shikime.
Ministria e Rinisë dhe Fëmijëve, e drejtuar nga Sira Rego, i ka dërguar të hënën një shkresë Prokurorisë së Shtetit të Spanjës, duke kërkuar që, në kuadër të kompetencave të saj, të ndërmarrë masat e nevojshme për mbrojtjen e fëmijëve që mund të jenë prekur.
Në shkresë, ministria përmend edhe mundësinë e pezullimit të funksionimit të platformës në Spanjë, nëse një masë e tillë vlerësohet e arsyeshme, raportojnë mediat spanjolle.
Ministrja Rego ka kërkuar gjithashtu një takim urgjent me përfaqësuesit e TikTok-ut në Spanjë, për të marrë shpjegime nga kompania lidhur me masat që ka ndërmarrë deri më tani dhe veprimet që planifikon të realizojë menjëherë.
Ministria paralajmëron për mangësi të mundshme në identifikimin dhe moderimin e përmbajtjeve të dëmshme. Ajo ngre shqetësime edhe për sistemet e rekomandimit të platformës, të cilat mund të kenë ndikuar në përhapjen e këtyre publikimeve.
Hetimi zbuloi mbi 1.100 video dhe fotografi të abuzimit seksual të fëmijëve
Fondacioni Maldita.es, një organizatë spanjolle për verifikimin e fakteve, e ka hetuar platformën për 35 ditë, nga 11 shtatori deri më 15 tetor.
Gjatë kësaj periudhe, organizata identifikoi 231 profile që kishin publikuar 1.183 video dhe fotografi me përmbajtje eksplicite të abuzimit seksual të fëmijëve. Këto materiale kishin grumbulluar gjithsej 48 milionë shikime.
Organizata identifikoi gjithashtu rreth 26 mijë llogari të dyshuara se përdoren nga persona me prirje pedofilike, të cilët përmes TikTok-ut shkëmbejnë, blejnë ose shesin materiale të tilla. Prej tyre, rreth 7.700 llogari veprojnë në gjuhën spanjolle, raporton AFP.
Studiuesit raportuan në TikTok, përmes sistemit të denoncimit të platformës, një mostër prej 50 videosh. Këto video kishin gjithsej 8,9 milionë shikime dhe më shumë se 150 mijë pëlqime.
Megjithatë, platforma hoqi vetëm pesë prej tyre, përkatësisht 10 për qind. Edhe 13 video të tjera u bllokuan vetëm për përdoruesit në Spanjë.
Pas 72 orësh, 40 për qind e llogarive që kishin publikuar këto përmbajtje vazhdonin të ishin aktive.
Hetimi identifikoi gjithashtu 780 llogari që përmes platformës kërkonin blerës për materiale të abuzimit seksual të fëmijëve.
Po ashtu, u zbuluan 91 transmetime të drejtpërdrejta me të mitur nga 17 vende, ku përdoruesit u ofronin fëmijëve para për të kryer veprime të ndryshme, në disa raste edhe veprime me natyrë seksuale.
Organizata Maldita.es ia ka dorëzuar të gjitha provat Prokurorisë spanjolle për Krimet Kibernetike.
Sipas vlerësimit të organizatës, gjetjet e hetimit vënë në pikëpyetje efektivitetin e masave të TikTok-ut për parandalimin e abuzimit seksual të fëmijëve.
Organizata konsideron gjithashtu se këto mangësi bien ndesh me detyrimet që Akti i Shërbimeve Digjitale (DSA) i Bashkimit Evropian ua imponon platformave të mëdha digjitale.
